Qindra qytetarë mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, presin vendimin nga Haga

Qindra qytetarë janë mbledhur tashmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në pritje të vendimit final ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi pritet të mësojnë vendimin e trupit gjykues në Hagë, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur më shumë se pesë vjet.

Qytetarët janë grumbulluar para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku është vendosur një ekran gjigant përmes të cilit do të përcillet seanca dhe shpallja e vendimit nga Haga.
Në shesh vërehet prania e shtuar e Policisë së Kosovës, e cila është angazhuar për mbarëvajtjen dhe sigurinë e qytetarëve të mbledhur.

Tubime të qytetarëve janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të Kosovës, ku vendimi pritet të përcillet në sheshet kryesore.
Ndërkohë, ekipi i Telegrafit ndodhet në Hagë dhe do të raportojë në kohë reale për zhvillimet gjatë shpalljes së vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Fotografi i Telegrafit sjell pamje nga sheshi “Skënderbeu”, ku qytetarët kanë nisur të mblidhen para ekranit gjigant. /Telegrafi/





