Qeveria: Punëdhënësit do të marrin deri në 250.000 denarë për çdo të punësuar të ri

Hapja e vendeve të reja të punës, ulja e papunësisë, përmirësimi i standardit të jetesës dhe krijimi i një klime më të favorshme për biznesin janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, thuhet në një njoftim të VMRO-DPMNE-së.
Sipas partisë, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE tashmë dy vjet me radhë po zbaton politika që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe se këto politika po japin rezultate.
Me qëllim mbështetjen e kompanive vendore për zgjerimin e aktivitetit të tyre përmes hapjes së vendeve të reja të punës, aktualisht është hapur thirrja publike “Mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës”, në kuadër të Planit Operativ për Punësim 2026.
Masa e parë e kësaj thirrjeje, “Punësimi dhe rritja e subjekteve juridike”, parashikon mbështetje financiare për kompanitë që do të punësojnë gjithsej 1.385 persona, me subvencione që variojnë nga 160.000 deri në 250.000 denarë për çdo vend pune, ndërsa buxheti i përgjithshëm i masës arrin në 332.650.000 denarë, ose rreth 5,4 milionë euro.
Ndryshe nga thirrja e parë për vetëpunësim, e cila ishte dedikuar për personat që dëshironin të hapnin biznesin e tyre, kjo thirrje është e destinuar për mikro, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre duke hapur vende të reja pune. Kompanitë mund të përfitojnë mjete të pakthyeshme për punësimin e deri në pesë personave.
Shuma e subvencionit ndryshon sipas kategorisë së të punësuarit:
- 250.000 denarë për punësimin e të rinjve deri në 29 vjeç;
- 220.000 denarë për përfituesit e ndihmës minimale të garantuar, romët, personat me aftësi të kufizuara, gratë, të papunët afatgjatë dhe gratë rome me arsim të mesëm ose të lartë;
- 160.000 denarë për personat e papunë mbi 29 vjeç.
Me këtë masë synohen edhe shtetasit që janë kthyer në vend. Për çdo person të punësuar që i përket kësaj kategorie, punëdhënësi do të përfitojë 10 për qind shtesë mbi shumën e miratuar të subvencionit, në varësi të kategorisë përkatëse të të papunëve.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se përmes këtyre masave, Qeveria synon të krijojë mundësi të barabarta për zhvillim profesional dhe karriere për të gjithë qytetarët, si dhe të sigurojë një klimë më të favorshme biznesi për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.



