“Bordi i Paqes” i Trumpit heq dorë nga plani për rindërtimin e Gazës, propozon kampe me kabina të përkohshme

“Bordi i Paqes” i presidentit amerikan Donald Trump ka reduktuar planin e tij për “rimëkëmbjen” e Gazës, duke kaluar nga rindërtimi i territorit në ngritjen e një kampi të përkohshëm me kabina të lëvizshme, që do të administrohej nga palestinezët, policia palestineze dhe një forcë e vogël ndërkombëtare e sigurisë.

Sipas një hetimi të publikuar të enjten nga The Guardian, projekti pilot do të vendoset në të ashtuquajturën zonë tampon përgjatë vijës së armëpushimit pranë Rafahut. Projekti ndryshon ndjeshëm nga vizioni i paraqitur në janar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, në prezantimin e tij për një “Gazë të tregut të lirë”, ku premtohej rikthimi i infrastrukturës bazë brenda 100 ditëve.

Deri më tani nuk ka nisur asnjë punim ndërtimor apo përgatitor për këtë projekt përmes Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse e mandatuar nga Kombet e Bashkuara në kuadër të planit të paqes për Gazën të vitit 2025.

Një bazë logjistike për ISF-në pranë pikës kufitare Kerem Shalom, mes Izraelit dhe Gazës, është pothuajse e përfunduar. Forca pritet të trajnohet në Egjipt me pjesëmarrjen e trupave nga Maroku, Kosova dhe, sipas raportit, mundësisht edhe Shqipëria dhe Kazakistani. Trajnimi pritet të zgjasë disa muaj, ndërsa kuadri ligjor për praninë e kësaj force ende është në negociata me qeverinë izraelite.

Projekti pilot u hartua dy javë më parë në Qipro nga përfaqësues të Bordit të Paqes, administratës Trump, Institutit Tony Blair dhe Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës.

Sipas planit, trupat izraelite do të tërhiqeshin nga vija e armëpushimit, ndërsa kampi do të administrohej nga ISF-ja dhe një forcë policore palestineze e trajnuar posaçërisht.

Mungesë fondesh

Sipas The Guardian, fondet për projektin pilot aktualisht mungojnë ose statusi i tyre është i paqartë. Nga 17 miliardë dollarët e premtuar për planin me 20 pika të Trumpit për paqen në Gaza, vetëm një pjesë shumë e vogël është siguruar.

Bordi i Paqes po përpiqet gjithashtu të ketë qasje në rreth 11 miliardë dollarë të të ardhurave tatimore palestineze dhe mjeteve bankare të ngrira e të bllokuara nga Izraeli, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra nga Autoriteti Palestinez.

Zgjedhjet izraelite në sfond

Raporti i The Guardian thekson se punimet mund të mbeten të kufizuara deri pas zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit, të cilat mund të çojnë në largimin e koalicionit të djathtë ekstrem të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Sipas raportit, disa zyrtarë izraelitë kanë lënë të kuptohet se përshkallëzimi i luftës në Gaza është i mundshëm pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, pasi Hamasi nuk është çarmatosur. Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se është i gatshëm të dorëzojë armët në kushte të caktuara dhe ka marrë pjesë në negociatat e zhvilluara fundjavën e kaluar në Kajro.

Sipas artikullit, që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli nisi luftën në Gaza pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi, janë vrarë më shumë se 73.000 palestinezë. Artikulli shton se studiues të njohur të gjenocidit, ekspertë dhe organizata për të drejtat e njeriut kanë arritur në përfundimin se veprimet e Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid.

Afrika e Jugut ka ngritur padi kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.

Gjykata ka lëshuar gjithashtu urdhër-arreste edhe për drejtues të Hamasit për krime të dyshuara lufte gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, të cilët më pas, sipas raportit, u vranë nga Izraeli.

Debatet për çarmatimin e Hamasit

Në bisedimet e zhvilluara në Kajro, Bordi i Paqes diskutoi çarmatimin e Hamasit, përfshirë çështjet se kush do të merrte armët e dorëzuara, si do të ruheshin ato dhe nëse pushkët automatike do të konsideroheshin pjesë e armëve që duhet të dorëzohen.

Raportet nga Kajro sugjerojnë se çarmatimi mbetet i pamundur për sa kohë Izraeli vazhdon sulmet ajrore në Gaza.

Sipas The Guardian, një zyrtar i njohur me bisedimet në Qipro deklaroi se Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës ishte i ndarë lidhur me projektin pilot në Rafah.

Anëtarët e komitetit shprehën shqetësimin se projekti mund të krijojë përçarje mes 2,1 milionë palestinezëve të Gazës dhe ta vendosë pjesën më të madhe të popullsisë në një kategori me prioritet më të ulët për ndihmat humanitare. /MEE/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button