Qeveria miraton raportin për transparencën institucionale, Fetai: Më shumë informacion për qytetarët

Në seancën e rregullt të Qeverisë është miratuar raporti për transparencën e institucioneve, i cili synon rritjen e qasjes së qytetarëve në informacion dhe forcimin e llogaridhënies së administratës publike.
Zv/kryeministri Arben Fetai theksoi se miratimi i këtij raporti përfaqëson një hap konkret drejt një qeverisjeje më të hapur dhe më të përgjegjshme. “Kjo do të thotë më shumë informacion për qytetarët dhe më pak vendime pas dyerve të mbyllura”, u shpreh Fetai.
Sipas tij, raporti nuk duhet parë si një procedurë formale, por si dëshmi e angazhimit real të institucioneve ndaj publikut. “Ky raport nuk është formalitet administrativ, por dëshmi e angazhimit tonë real që qytetarët të kenë qasje më të shpejtë dhe më të plotë në informacion”, deklaroi zv/kryeministri.
Ai shtoi se përmes bashkëpunimit ndërinstitucional po ndërtohet një administratë më moderne dhe më e besueshme. “Përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, po ndërtojmë administratë më të hapur, më llogaridhënëse dhe më të besueshme”, tha Fetai.
Në fund, zv/kryeministri theksoi se transparenca mbetet parim themelor i qeverisjes aktuale: “Transparenca është standard, jo premtim”.



