Putin dhe ish-kancelari gjerman Schroder janë takuar në Moskë

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder dhe presidenti rus, Vladimir Putin janë takuar në Kremlin, në një bisedë që ka rikthyer në vëmendje diskutimet për gjetjen e një ndërmjetësi në luftën e Ukrainës.
Takimi u konfirmua nga këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Juri Ushakov, shkruan revista gjermane “Der Spiegel”. “Po, ata janë takuar. Ishte një bisedë e mirë”, deklaroi Ushakov për agjencinë e lajmeve Interfax, duke refuzuar gjithsesi të jepte detaje mbi përmbajtjen apo mbi perspektivat e negociatave mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian.
Ky takim vjen fill pas deklaratave publike të Putinit, i cili propozoi hapur ish-kancelarin gjerman si personin e duhur për të ndërmjetësuar mes BE-së dhe Rusisë. Gjatë një takimi me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve në Shën Petersburg, Putin u shpreh se si ndërmjetësues mund të vijnë në konsideratë vetëm njerëz neutralë “të cilëve mund t’u besohet”.
Ai u shfaq i “habitur” nga debati i ashpër që ky propozim ndezi në Gjermani, duke shtuar se nuk bëhet fjalë nëse Schröder është apo jo mik i tij, por se ai është një burrë shteti që mbron interesat gjermane. Në të njëjtën kohë, Putin kritikoi ashpër Gjermaninë dhe Europën, duke thënë se furnizimet me armë për Ukrainën tregojnë se ata nuk janë më neutralë.
Pavarësisht insistimit të Kremlinit, emërimi i një negociatori që nuk përfaqëson asnjë qeveri zyrtare konsiderohet thuajse i pamundur nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Gjatë një takimi jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së në Qipro, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, lëshoi një paralajmërim të prerë “ky është një kurth në të cilin Rusia po përpiqet të na fusë”.
Përveç Schröderit, nga qarqe të ndryshme si ndërmjetësues potencialë janë lakuar edhe emrat e ish-kancelares Angela Merkel, presidentit finlandez Alexander Stubb, si dhe ish-shefit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.
Edhe pse luftimet në terren po bëhen gjithnjë e më të ashpra, brenda qeverisë federale gjermane ekziston besimi se në muajt e ardhshëm mund të ketë bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
Nga burime qeveritare në Berlin bëhet e ditur se “ngadalë po hapet një dritare mundësie për bisedime të palës evropiane me Rusinë”, shkruan “Der Spiegel”. Megjithatë, të njëjtat burime nënvizojnë se betejat e ashpra të ditëve të fundit tregojnë se ky proces nuk do të zgjasë me javë, por me muaj të tërë. /Telegrafi/



