Putin akuzon Evropën dhe NATO-n: Po përgatiten për luftë me Rusinë për të mbuluar dështimet e tyre

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar gjatë një takimi me krerët e lartë të ushtrisë se vendet evropiane dhe aleanca e NATO-s po zgjerojnë shtrirjen e tyre me qëllim përgatitjen për një konflikt ushtarak me Moskën.

Sipas kreut të Kremlinit, retorika e ashpër e udhëheqësve perëndimorë është një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga krizat e brendshme politike dhe sociale me të cilat po përballen këto shtete.

Gjatë fjalës së tij para komandantëve ushtarakë, Putin nëvizoi se kërcënimet ndaj sigurisë së Rusisë po shtohen, ndërsa akuzoi aleancën veriatlantike për depërtim tejoqeanik e rajonal:

“Siç dihet, numri i këtyre kërcënimeve nuk po zvogëlohet. NATO po zgjerohet, duke depërtuar tashmë në rajone të tjera të botës. Disa udhëheqës evropianë po deklarojnë hapur se po përgatiten për luftë me Rusinë. Sipas mendimit tim, ata thjesht po përpiqen të shpëtojnë popullaritetin e tyre në rënie, duke mbuluar gabimet në politikën ekonomike dhe sociale.”

Pavarësisht paralajmërimeve për zgjerimin e aleancës, kreu i shtetit rus riktheu në vëmendje qëndrimin e Moskës se nuk ka synime sulmuese ndaj vendeve të kontinentit, duke shprehur hapjen për rikthimin e bashkëpunimit fqinjësor:

“Dua të deklaroj edhe një herë: Rusia nuk ka qëllime agresive ndaj Evropës ose vendeve evropiane. Thjesht nuk ka asnjë arsye për këtë. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe për rivendosjen e marrëdhënieve me fqinjët tanë evropianë.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button