Protestat studentore vazhdojnë në të gjithë Francën, dhuna përshkallëzohet

Mobilizimi i studentëve francezë, të cilët prej ditësh kërkojnë përmirësimin e kushteve të mësimit, ka vazhduar edhe sot ndërsa protestat u shndërruan në përleshje gjithnjë e më të dhunshme në disa rajone të vendit, transmeton Anadolu.

Sipas transmetuesit BFMTV, tensionet u rritën veçanërisht në Strasburg, ku protestat jashtë një shkolle të mesme u zhvendosën drejt një kampusi të Universitetit të Strasburgut, pasi protestuesit u zmbrapsën nga forcat e rendit. Gjatë protestës u raportua se u dëgjuan shpërthime të shumta të fishekzjarreve mortajë ndërsa u përdor benzinë për të ndezur një zjarr.

Përleshje u raportuan gjithashtu mes protestuesve dhe policisë pranë kampusit ndërsa forcat e sigurisë shpërndanë turmën me gaz lotsjellës pasi u hodhën fishekzjarre mortajë. Sipas raportimeve, rreth një duzinë personash të veshur me të zeza ishin të pranishëm ndërsa në turmë kishte edhe nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universiteti.

Në Paris, zjarrfikësit ndërhynë për të shuar zjarre të ndezura në hyrjet e dy shkollave. Policia në Loire raportoi arrestimin e disa personave që mbanin sende të rrezikshme, përfshirë një shkop me fishekzjarr dhe një çekiç për thyerjen e xhamave.

Prefekti i Bouches-du-Rhone tha për transmetuesin BFMTV-së se situata ishte e “pakrahasueshme me dje”, me “shumë më pak protestues” në rrugët e Marsejës. Gjithsej 11 shkolla ishin “pak a shumë të prekura” sot në mëngjes ndërsa disa bllokada u shpërndanë nga policia e ndërhyrjes.

Prefekti Jacques Witkowski tha se 55 shkolla të mesme kishin kaluar në mësim online gjatë mëngjesit. Rajoni Auvergne-Rhone-Alpes vlerësoi se dëmet e lidhura me mobilizimin studentor arrinin në 25 deri në 30 milionë euro. Sipas raportimeve, në rajon u regjistruan 180 bllokada gjatë tre ditëve dhe 90 sulme ndaj shkollave të mesme.

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, dje njoftoi të enjten se “pak më shumë se 400 shkolla” do të mbylleshin sot. Ai për “France 2” tha se shkollat do të qëndronin të mbyllura “sepse sistemet e mbrojtjes nga zjarri janë shkatërruar ose sepse stafi është vënë qëllimisht në shënjestër”.

Geffray paralajmëroi se lëvizja “ka ndryshuar natyrë” dhe se “po keqpërdoret nga grupe të dhunshme”. Zyrtarë të lartë të qeverisë zhvilluan takim emergjent dje pasdite dhe sipas tyre, besojnë se protestat studentore ishin planifikuar në mënyrë të fshehtë nga partia politike e së majtës ekstreme LFI dhe grupet që bashkëpunojnë me të.

Ata thanë se kjo nuk ishte më thjesht çështje e bllokimit të shkollave të mesme, por “dhunë urbane”, mësoi BFMTV nga burime të njohura me situatën. Geffray i tha BFMTV-së se 1.207 shkolla të mesme ishin ndërprerë ose bllokuar në një moment gjatë mobilizimit studentor.

Ai shtoi se më shumë se 100 shkolla pësuan dëme të mëdha, ndërsa 65 punonjës të shkollave u plagosën. Krahas mbylljes së shkollave të mesme, të gjithë prefektët mbrëmë nxorën urdhra për ndalimin e demonstratave pranë shkollave, sipas Ministrisë së Brendshme, e cila shtoi se i njëjti udhëzim u dha në të gjitha departamentet e vendit.

Disa organizata që përfaqësojnë lëvizjen studentore, së bashku me grupet politike të majta dhe të së majtës ekstreme, kanë bërë thirrje për një raund të dytë mobilizimi më 6 tetor, kundër asaj që e përshkruajnë si “represion” policor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button