Prokuroria Publike hapi hetime për dy dilerë droge në Tetovë
Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka hapur hetim për dy persona të cilët në cilësinë e bashkëpunëtorëve kanë kryer veprën penale Prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve. Sipas njoftimit të PTHP Tetovë, më 28 gusht, dy të dyshuarit në fshatin Palaticë të Tetovës, në një kasolle të improvizuar kanë ripaketuar lëndën narkotike – marihuanë, e cila ishte e destinuar për shitje të mëtutjeshme. Në vend u gjetën dhe u konfiskuan rreth 78 gramë marihuanë në disa pako të vogla.
“Gjatë arrestimit, njëri nga të dyshuarit e ka shtyrë dhe goditur një punonjës policie, duke i shkaktuar lëndime trupore, por shumë shpejt është arrestuar. Ndaj tij është iniciuar procedurë edhe për – sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së punëve të sigurimit nga neni 383 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit. Gjykata e pranoi propozimin dhe caktoi të dyve masën e paraburgimit prej 30 ditësh.