Prokuroria: I arrestuari për spiunazh, Fehim Sali pranoi se ishte rekrutuar nga BIA

Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i cili u arrestua të enjten nën dyshimet për spiunazh.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se nga provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), është vërtetuar dyshimi i bazuar se Sali ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA.
“Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zheljko Matoviq, dhe se i njëjti ka ofruar informacione këtij shërbimi në dëm të interesave të shtetit tonë. Konsiderojmë se nga provat që kemi siguruar kemi vërtetuar dyshimin e bazuar mirë”, ka thënë Kodraliu në një prononcim për media pas seancës së parë ku Sali doli para gjykatës.
E me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, Kodraliu tha se i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
“Siç jeni të informuar, edhe dje kemi kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kemi siguruar prova materiale, më konkretisht telefona dhe një shumë të caktuar parash, të cilat ne konsiderojmë se janë dobi pasurore e përfituar përmes kryerjes së veprës penale. Pas përfundimit të hetimeve, konsiderojmë se ndaj të njëjtit do të ngremë edhe aktakuzë për veprën penale për të cilën tashmë kemi vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha Kodraliu.
Kodraliu ka konfirmuar se Fehim Sali ka qenë duke u hetuar për më shumë se një vit, teksa ka shtuar se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të japin më shumë informacione.



