Presidenti gjerman do të vendosë javën e ardhshme nëse do të shpërndajë parlamentin
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka bërë të ditur se ai do të vendosë më 27 dhjetor nëse do të shpërndajë parlamentin e vendit të tij, transmeton Anadolu.
Presidenti Steinmeier në një deklaratë njoftoi se ai ka filluar takimet me krerët e grupeve parlamentare për të shqyrtuar opsionet pasi kancelari Olaf Scholz humbi votëbesimin në parlament në fillim të kësaj jave.
“Gjatë ditëve të kaluara, kam zhvilluar bisedime me krerët e grupeve parlamentare dhe të fraksioneve në Bundestagun Gjerman për të konstatuar se nuk ka më asnjë perspektivë për një shumicë të qëndrueshme parlamentare për një qeveri. Unë synoj të marr një vendim për shpërndarjen e Bundestagut Gjerman në përputhje me nenin 68 të Kushtetutës më 27 dhjetor 2024”, shtoi ai.
Në fillim të kësaj jave, Scholz humbi një votëbesim në parlament, në një lëvizje të llogaritur politike për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme shkurtin e vitit të ardhshëm.
Të hënën, Scholz, duke folur në parlament, mbrojti vendimin e tij për t’i dhënë fund koalicionit me partinë liberale FDP, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme do t’i lejojnë votuesit të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit.
Ai humbi votëbesimin në parlament me një votim 394 kundrejt 207 votave. Partneri i tij i koalicionit, Të Gjelbrit, abstenoi për të siguruar suksesin e manovrës për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme.
Sipas kushtetutës, kur një shumicë parlamentare heq besimin ndaj kancelarit, presidenti mund të shpërndajë parlamentin me kërkesë të kancelarit, duke çuar në zgjedhje të reja.
Pas rënies së qeverisë, krerët parlamentar nga SDP-ja, Të Gjelbrit dhe opozita kryesore Kristian-Demokrate (CDU/CSU) ranë dakord të propozojnë 23 shkurtin si datën e zgjedhjeve të parakohshme. Vendimi përfundimtar për datën e zgjedhjeve do të merret nga presidenti Steinmeier.