Blerim Islami: Është hedhur hekur në pusin ku po punohet për sigurimin e ujit të pijshëm në Dollnen

Kryetari i Komunës së Dollnenit, Blerim Islami, ka njoftuar se në pusin ku po zhvillohen punime për sigurimin e ujit të pijshëm për banorët është hedhur hekur, duke penguar realizimin e projektit.
Përmes një reagimi publik, Ismaili tha se veprimi ka penguar punimet për një projekt që synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët.
“Sot, kur po punohet për t’u siguruar banorëve ujë të pijshëm, dikush ka hedhur hekur në pusin që po hapet për këtë qëllim, duke penguar punimet për një projekt që u shërben qytetarëve”, deklaroi Islami.
Ai theksoi se Komuna do të kërkojë zgjidhje për tejkalimin e pengesës, në mënyrë që banorët të mos mbeten pa shërbimin e nevojshëm.
“Çdo pengesë do të trajtohet me seriozitet dhe do të kërkohet zgjidhje që banorët të mos mbeten pa shërbimin për të cilin kanë nevojë”, u shpreh kryetari i Komunës së Dollnenit.
Ismaili shtoi se do të vazhdojë angazhimin për realizimin e projekteve komunale, pavarësisht pengesave me të cilat mund të përballet.
“Unë nuk do t’ua kthej të keqen me të keqe. Do t’ua kthej me punë, me vendosmëri dhe me rezultate”, theksoi ai.
Në fund të reagimit, Ismaili nënvizoi rëndësinë e projektit për furnizimin me ujë të pijshëm, duke e cilësuar ujin si një shërbim jetik për banorët.
Deri në momentin e publikimit të reagimit, në njoftimin e kryetarit nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me personat përgjegjës për incidentin apo nëse rasti është raportuar te organet kompetente.



