Anëtarët e IEA-së do të përshpejtojnë lirimin e 100 milionë fuçive naftë teksa tregjet mbeten të shtrënguara

Anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) ranë dakord të përshpejtojnë lirimin e rreth 100 milionë fuçive të mbetura nga rezervat emergjente të naftës, përfshirë mbi 20 milionë fuçi naftë dizel që do të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur, në kushtet e vazhdimit të furnizimit të kufizuar në tregjet globale të energjisë, transmeton Anadolu.
Bordi Drejtues i agjencisë tha se vlerësimet e tij të fundit tregojnë se tregjet e naftës vazhdojnë të përballen me furnizim të kufizuar, veçanërisht sa i përket naftës dizel, pas një takimi mbi tregjet dhe sigurinë energjetike.
Rreth 330 milionë fuçi naftë janë liruar tashmë në kuadër të veprimit të përbashkët të nisur në mars, si përgjigje ndaj krizës në Ngushticën e Hormuzit.
Sasia totale e naftës së liruar do të tejkalojë zotimin fillestar prej 400 milionë fuçish, pasi disa anëtarë kanë liruar më shumë se sasia e premtuar fillimisht, ndërsa të tjerë synojnë të bëjnë të njëjtën gjë, bëri të ditur bordi.
Anëtarët ranë dakord të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të përfunduar lirimin e rezervave të mbetura brenda një afati të përshtatshëm dhe në përputhje me rrethanat kombëtare, ndërsa plane konkrete për përshpejtimin e procesit janë tashmë në fuqi.
Bordi gjithashtu i nxiti anëtarët që kanë kapacitete për prodhimin dhe rafinimin e naftës të rrisin furnizimin me naftë bruto dhe produkte të rafinuara, veçanërisht naftë dizel, si dhe theksoi rëndësinë e qarkullimit të lirë të tregtisë së energjisë.
Duke riafirmuar angazhimin e tyre për sigurinë ndërkombëtare energjetike, anëtarët shprehën gatishmërinë për të ndërmarrë masa të mëtejshme për të përballuar sfidat në tregjet globale të energjisë, duke u mbështetur në deklaratën e G7-s të 2 tetorit.
Sekretariati i IEA-së do të monitorojë përparimin dhe do të informojë liderët e G7-s dhe Bordin Drejtues për masat e mëtejshme që mund të nevojiten, duke u bazuar në një vlerësim të përditësuar të tregut të naftës, me fokus të veçantë te nafta dizel.



