Përballja me Kinën: SHBA, negociata me 70 shtete që të mos pranojnë mallrat e Pekinit

“Administrata e Presidentit Donald Trump po synon të përdorë negociatat për tarifat me partnerët tregtarë të SHBA-së si një mjet për t’i bindur ata të kufizojnë lidhjet e tyre ekonomike me Kinën”, raporton Wall Street Journal, duke cituar “njerëz në dijeni me diskutimet” për këtë çështje.
Qëllimi i administratës Trump, sipas medias së njohur amerikane, është të marrë angazhime të dobishme për izolimin e ekonomisë kineze nga më shumë se 70 vende që do të negociojnë një reduktim të barrierave tregtare dhe tarifave të vendosura nga Shtëpia e Bardhë. Administrata Trump do t’u kërkojë këtyre vendeve që të mos lejojnë tranzitin e mallrave kineze, të ndalojnë kompanitë kineze të vendosen në territoret e tyre për të anashkaluar detyrimet amerikane dhe të mos thithin mallra industriale me kosto të ulët nga fuqia kryesore aziatike.
Këto masa synojnë të godasin një ekonomi kineze që tashmë konsiderohet e brishtë dhe të detyrojnë Pekinin të ulet në tryezën e negociatave nga një pozicion dobësie përpara një takimi të mundshëm midis Trump dhe presidentit kinez Xi Jinpin. Kërkesat e bëra nga Uashingtoni mund të ndryshojnë shumë nga vendi në vend, në varësi të shkallës së ndërvarësisë së tyre me ekonominë kineze.
Sipas burimeve të cituara nga “Wall Street Journal”, zyrtarët amerikanë e kanë përmendur tashmë këtë strategji në bisedimet paraprake me delegacione nga disa vende. Vetë Trump la të kuptohet për këtë qasje të martën, gjatë një interviste me programin televiziv në gjuhën spanjolle “Fox Noticias”, duke thënë se ai mund të konsiderojë t’u kërkojë partnerëve tregtarë të SHBA-së të zgjedhin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Trump po i përgjigjej në këtë mënyrë një pyetje në lidhje me tërheqjen e Panamasë nga Iniciativa Brez dhe Rrugë (BRI), programi global i infrastrukturës së Pekinit për vendet në zhvillim.
Një nga arkitektët e strategjisë, sipas WSJ thuhet se është Sekretari i Thesarit Scott Bessent, i cili ka marrë një rol udhëheqës në negociatat tregtare që kur Trump njoftoi më 9 prill një pezullim 90-ditor të tarifave reciproke për shumicën e vendeve, por jo për Kinën.
Sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, Bessent ia bëri propozimin Trumpit gjatë një takimi më 6 prill në rezidencën e presidentit në Florida, Mar-a-Lago, duke argumentuar se masat nga partnerët tregtarë të SHBA-së mund të parandalojë Pekinin dhe kompanitë e tij që të shmangin tarifat, kontrollet e eksportit dhe masat e tjera ekonomike të miratuara nga qeveria amerikane.