Penko merr vendimin për nxënësit nga Çairi – por jo për të gjithë

Në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko” janë pranuar fëmijë nga Çairi që kanë vëlla ose motër që paraprakisht e ndjekin mësimin në këtë shkollë. Këtë informacion për Alsat e konfirmojnë jo zyrtarisht mësimdhënësit e shkollës. Drejtoresha është në pushim mjekësor, ndërsa pas kthimit ajo duhet të sqaroj se për sa nxënës bëhet fjalë dhe nëse këto nxënës tashmë janë ulur në bankat e shkollës dhe vijojnë mësimin me bashkëmoshatarët e tyre. Kjo pasi Komuna e Butelit nuk jep përgjigje se sa fëmijë nga Çairi do të vazhdojnë mësimin në këtë shkollë.
“Nga stafi i shkollës bëjnë të ditur se ende presin përgjigje nga Ministria e Arsimit nëse do të lejohet hapja e paraleles së pestë”
Prindërit në vazhdimësi janë ankuar se tashmë 3 muaj janë duke u zvarritur korridoreve të shkollës pasi fëmijët e tyre janë pranuar por nuk janë vendosur në një klasë përkatëse. Duke kërkuar të mbeten anonim prindërit thonë se fëmijët e tyre dërgohen nga një klasë te tjetra pa e ditur se me cilin grup do të vijojnë mësimin.
Alsat pyeti edhe në zyrat e Avokatit të Popullit nga ku thanë se do ta marrin në shqyrtim rastin pasi urdhëruan inspektim nga inspektorët e arsimit. Avokati i Popullit thotë se akoma nuk ka përgjigje. Ndërsa nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, është dhënë urdhër për kryerjen e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese.
Komuna e Butelit vendosi që ta mbyll paralelen e pestë për klasën e parë, pavarësisht interesit të lartë për t’u regjistruar, ndërsa në po të njëjtën shkollë mbahen paralele në gjuhën maqedonase me numër shumë të ulët të nxënësve. Deri në përfundimin e mbikëqyrjes nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, mbetet e paqartë nëse do të ketë ndryshim të vendimit për hapjen e paraleles së pestë. /Alsat.mk



