OKB-ja paralajmëron se shpërthimi i Ebolës në Kongo po “rritet në mënyrë eksponenciale”

Shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po “rritet në mënyrë eksponenciale”, ndërsa më shumë se 2.500 persona kanë humbur jetën gjatë tre muajve të fundit, tha të premten.

“Epidemia po përhapet gjerësisht. Tani përfshin një zonë më të madhe se Franca”, tha në një konferencë për media Julien Harneis, një koordinator i lartë i OKB-së për këtë sëmundje.

“Ajo po përhapet më shpejt dhe në një territor më të gjerë sesa po zgjerohet reagimi ndaj Ebolës”, tha ai.

Harneis theksoi se gjysma e këtyre vdekjeve kanë ndodhur gjatë 20 ditëve të fundit.

Harneis tha se konflikti i armatosur në Kongo, i cili në forma të ndryshme vazhdon që nga viti 1999, ka zhvendosur rreth 1 milion njerëz në zonën e prekur, ndërsa ka dobësuar zbatimin e ligjit dhe ka fragmentuar shërbimet bazë, veçanërisht kujdesin shëndetësor.

Ai përshkroi gjithashtu kushtet e vështira me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë që po reagojnë ndaj shpërthimit, në të cilin janë regjistruar mbi 5.000 raste që nga maji.

“Rreth 160 punonjës shëndetësorë janë infektuar me Ebola dhe 43 prej tyre kanë vdekur”, tha Harneis.

Ai shtoi se punonjësit shëndetësor dhe personeli tjetër në vijën e parë përballen gjithashtu me sulme, ndërsa ambulancave u është vënë zjarri ose janë goditur me gurë dhe objektet shëndetësore janë sulmuar.

Harneis tha se qasja në zonat e prekura përbën një tjetër sfidë të madhe, duke përmendur gjendjen e keqe të rrugëve dhe vështirësitë në transportimin e personelit dhe furnizimeve.

Ai tha se reagimi po pengohet gjithashtu nga sistemi i fragmentuar shëndetësor dhe shërbimet e kufizuara bankare, të cilat e kanë bërë të vështirë sigurimin e fondeve të mjaftueshme për të paguar punonjësit në vijën e parë.

Shkurtimet e financimit humanitar gjatë viteve të fundit, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, kanë ulur kapacitetin e organizatave humanitare me më shumë se 30 për qind, tha ai.

Harneis tha se janë nisur pesë paketa të integruara operacionale, të udhëhequra nga qeveria, për të zgjeruar reagimin, përfshirë angazhimin më të madh të komunitetit, forcimin e mbikëqyrjes së sëmundjes, zgjerimin e ekipeve për varrime të sigurta dhe dinjitoze dhe rritjen e kapaciteteve të trajtimit.

Zyrtari tha se reagimi deri më tani ka marrë 80 milionë dollarë financim, por paralajmëroi se këto mjete së shpejti do të shterojnë.

“Na duhen investime shumë më të mëdha dhe mbështetje shumë më e madhe nga komuniteti ndërkombëtar. Çdo vonesë në financim dhe zbatim e bën këtë epidemi më vdekjeprurëse, më të vështirë për t’u ndalur dhe më të kushtueshme”, tha Harneis.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button