Nuk ndalen akuzat ndaj Merkos dhe drejtorëve të tij të paligjshëm
Prokuroria themelore publike e Strugës ka dorëzuar edhe një aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Këtë herë ai do të procedohet për keqpërdorim në shërbim.
“I pandehuri me vetëdije ka shkelur dispozitat ligjore me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit në një shkollë fillore komunale në fshatin Radolishtë”, thotë Prokuroria Publike.
Ndonëse Ligji për Arsimin Bazë përcakton se ushtruesi i detyrës së drejtorit zgjidhet nga radhët e punonjësve të shkollës që plotësojnë kushtet për drejtor, me datë 12.01.2022 i pandehuri caktoi një person që nuk i plotësonte këto kushte si ushtrues detyre të drejtorit të shkollës në Radolishtë, d.m.th. nuk kishte përvojë pune së paku pesë vjet në punë arsimore.
Personi i emëruar ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së shkollës në periudhën prej datës 12.01.2022 deri më 31.07.2023, periudhë gjatë së cilës i është paguar paga dhe kontributet si ushtruese e detyrës së drejtoreshës, e cila i ka shkaktuar dëme shkollës.
Kjo është aktakuza e tetë që i është ngritur Ramiz Merkos.