“Nuk na duhet shteti i Palestinës”, e pamundur të ketë paqe midis Izraelit dhe Hamasit
Mosmarrëveshjet mbi praninë ushtarake të Izraelit në Gaza dhe lirimin e të burgosurve palestinezë janë arsyet kryesore të cilat po pengojnë një armëpushim dhe marrëveshje mbi pengjet, bën me dije Reuters, duke cituar burime ekskluzive.
Dy zyrtarë të Hamasit dhe tre diplomatë perëndimorë, i thanë Reuters se mosmarrëveshjet vinin nga kërkesat që Izraeli ka paraqitur që kur Hamasi pranoi një version të një propozimi për armëpushim të shpalosur nga Presidenti i SHBA Joe Biden në muajin maj.
Të gjitha burimet thanë se Hamasi ishte veçanërisht i shqetësuar për kërkesën e fundit për të mbajtur trupat të dislokuara përgjatë Korridorit Netzarim, një brez lindje-perëndim të cilin Izraeli e spastroi gjatë luftës aktuale, por e cila pengon lëvizjen e lirë të palestinezëve midis veriut dhe jugut të Gazës, si edhe zona e ngushtë midis Gazës dhe Egjiptit i njohur si Korridori i Filadelfit. Kontrolli aktual i Izraelit në Korridorin e Filadelfit i jep atij kontrollin e kufirit të Gazës me Egjiptin, i vetmi vendkalim i enklavës që nuk kufizohet me Izraelin, shkruan A2 CNN.
Izraeli është kategorikisht kundër krijimit të një shteti palestinez, një arsye më shumë për të mos arritur në konkluzione pozitive në negociata. “Një shtet palestinez do të thotë një bazë iraniane”. Kështu shkruan në “X”, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, sipas të cilit “Irani dhe Hamasi e kanë marrë në dorë çështjen palestineze”, shkruan A2 CNN.
“Një shtet palestinez do të nënkuptonte një bazë iraniane” në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, “ashtu si në Liban, Jemen, Siri dhe Irak, me kërcënime ndaj qendrave të popullsisë, rrugëve ajrore, detare dhe qendrave ekonomike në Izrael. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, tha Israel Katz, Ministër i Jashtëm i Izraelit.
Ndërkohë sipas raporteve të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 90% e banorëve të Gazës janë zhvendosur nga urdhrat e evakuimit të Izraelit. Që nga fillimi i konfliktit në tetor, urdhrat e evakuimit të Izraelit në Gaza kanë detyruar 90% të 2.1 milionë banorëve të saj të lëvizin. 12 urdhra evakuimi pati vetëm në gusht që detyruan rreth 250,000 njerëz të lëviznin përsëri, tha një nga zyrtarët e OKB-së. /A2CNN/