“Nuk kam asnjë plan B”: Familjet në Gaza po lihen të uritura nën bllokadën izraelite të ndihmave

Pas mbylljes së kufijve të Gazës nga Izraeli muajin e kaluar, Ibrahim al-Madhoun arriti të grumbullojë disa kanaçe me ushqime.

“Të gjithë vrapuan në treg. Zakonisht marrim ushqime në kanaçe – fasule, toni, oriz, drithëra – gjëra që zgjasin. Djathi dhe produkte të tjera që prishen janë shumë të shtrenjta dhe nuk mbajnë gjatë,” tha për Middle East Eye ky baba palestinez.

Por ajo pak sasi që kishte grumbulluar, përfundoi dy javë më parë.

Tani ai ushqen familjen një herë në ditë me manakeesh – një lloj bukë e rrafshët me erëza za’atar.

“Edhe manakeesh-i do të zhduket së shpejti,” tha 46-vjeçari, i cili jeton me nënën e tij të moshuar dhe pesë fëmijët.

“Mielli i pakët që na ka mbetur po mbaron.”

Që prej izolimit të plotë të Gazës në fillim të marsit, të paktën 95 për qind e agjencive ndërkombëtare të ndihmave kanë ndërprerë shpërndarjet, pasi depot e tyre janë boshatisur.

Ndihmat ishin kthyer në një litar shpëtimi për gati të gjithë popullsinë e Gazës prej 2.3 milionë banorësh, që nga bombardimet dhe bllokada izraelite në tetor 2023.

“Para luftës, nuk kisha pasur nevojë për ndihmë ndërkombëtare. Punonja si shofer taksie dhe i siguroja vetë nevojat e familjes,” tregoi Madhoun.

“Por qëkurse filloi lufta dhe pushtimi filloi të mbyllë kufijtë dhe të vendosë kufizime ndaj tregtisë, ka mallra që tregtarët nuk mund t’i fusin më.”

“Sot, me ndaljen edhe të ndihmave humanitare, organizatat ndërkombëtare nuk arrijnë të sigurojnë as artikuj bazikë si mielli.”

Urina e padukshme

Më 1 prill, të 25 furrat e mbështetura nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP) në të gjithë Rripin e Gazës u mbyllën për mungesë mielli dhe karburanti.

Sot, familjet përdorin torbat e fundit të miellit të siguruar nga WFP për të pjekur bukë në furrat e improvizuara me dru zjarri.

“Shumicën e kohës jemi të uritur, por nuk mund të hamë më shumë se një vakt në ditë,” thotë Madhoun nga lagjja Jalaa e Gazës.

“Mund të thuash se gjithçka që hamë tani është bukë me pak za’atar – mjafton të mbijetojmë, por jo të jemi të shëndetshëm.”

Muajin e kaluar ai çoi djalin e vogël dyvjeçar në një klinikë të OKB-së për kontroll ushqyerjeje.

“U trondita kur më thanë se ishte kequshqyer rëndë,” tregoi ai.

“Nuk duket shumë i dobët, por mjekët më shpjeguan se kequshqyerja nuk është gjithmonë e dukshme.”

“Trupi i tij nuk merr vitaminat dhe proteinat thelbësore që mungojnë në ushqimet në kanaçe apo në bukë.”

Mjekët i thanë Madhounit se shumica e fëmijëve që vijnë për vizita janë në një formë ose tjetër të kequshqyerjes – shumica “e padukshme”.

Megjithatë, ai e konsideron veten “me fat” që ende arrin të ushqejë fëmijët çdo ditë, edhe pse për pak kohë.

“Kur të na mbarojnë edhe këto pak rezerva, nuk kam plan B. Jetojmë vetëm me shpresën se ndihmat do të lejohen të hyjnë së shpejti. Është e vetmja mundësi që kemi.”

Shkatërrimi i shportës ushqimore

Izraeli ka vendosur një bllokadë të rreptë mbi Gazën që nga viti 2007. Banorët arritën disi të përshtateshin, duke u mbështetur tek bujqësia lokale.

Sot, mbi 80 për qind e tokave bujqësore të Gazës janë të pashfrytëzueshme – të shkatërruara nga bombardimet, të rrafshuara, pa ujë dhe infrastrukturë, ose të përthithura nga zonat e reja ushtarake.

“Përveç dëmit në këto toka, shumë zona bujqësore janë kthyer në kampe për të zhvendosurit,” shpjegoi inxhinierja mjedisore Israa Abushaban, pjesë e Komitetit për Menaxhimin e Krizës së Ujit.

“Rasti më i dukshëm është zona al-Mawasi në Khan Younis, që dikur ishte një burim kryesor ushqimi për Gazën,” tha ajo për MEE.

Sot ajo zonë është kthyer thuajse tërësisht në kamp të përkohshëm për banorët e dëbuar nga bombardimet.

Këto kampe, sipas Abushaban, kanë ndotur burimet e ujit nëntokësor, për shkak të gropave të ujërave të zeza që derdhen drejt puseve të fushave.

Të vetmet toka që kanë mbetur të arritshme prodhojnë pak perime, çmimet e të cilave janë jashtë mundësive të qytetarëve.

Domatet dhe kastravecët, që dikur kushtonin rreth 3 shekel (më pak se 1 dollar) për kilogram, tani shiten për deri në 35 shekel (rreth 10 dollarë). Frutat janë zhdukur nga tregu.

“Përveç al-Mawasi, edhe shumë zona të tjera bujqësore në lindje, veri dhe në Rafah janë përfshirë në zonën e tamponit,” shtoi ajo.

“Me fjalë të tjera, **aksesimi i këtyre zonave është bërë krejtësisht i pamundur. Po flasim për shkatërrim të puseve bujqësore, infrastrukturës dhe kolaps të të gjithë shportës ushqimore të Gazës.””

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button