Nga Meka, presidenti i Shqipërisë Begaj përcjell urim për besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e Kurban Bajramit për besimtarët myslimanë, transmeton Anadolu.
Në një postim në median sociale nga Meka, ku ai gjendet aktualisht, Begaj uroi besimtarët për begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet e tyre.
“Nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit dhe paqes, në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet tuaja!”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai theksoi se Kurban Bajrami përkujton sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin dhe kujdesin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, duke shtuar se shoqëria forcohet kur njerëzit ndajnë si gëzimin, ashtu edhe përgjegjësinë për njëri-tjetrin.
Begaj vlerësoi gjithashtu se festa të tilla rikujtojnë vlerat e besimit, familjes, mikpritjes dhe respektit të ndërsjellë që kanë qëndruar të gjalla ndër shekuj.
Ai u shpreh i nderuar që festën e Kurban Bajramit po e kalon në Mbretërinë e Arabisë Saudite me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz, në një vend ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen “në lutje, përulësi dhe paqe”.

