Nga e shtuna e ardhshme fillon dhënia e provimeve të maturës, tre variante sipas llojit të arsimit

Të shtunën e ardhshme fillon dhënia e provimeve eksternë të maturës për më shumë se 14 500 nxënës që përfundojnë arsimin e mesëm në vitin shkollor 2025/2026. Në përputhje me ndryshimet në Ligjin për arsimin e mesëm, këtë vit maturantët do të japin tre variante provimesh mature – maturë shtetërore, maturë shtetërore profesionale dhe maturë shtetërore artistike.
Për çdo provim (lëndë) nga këto tipe mature janë përgatitur programe të veçanta provimi, mbi bazën e të cilave janë hartuar pyetjet e testit. Nga Qendra Shtetërore e Provimeve (QSP), e cila organizon dhe realizon provimin e maturës, theksojnë se këto programe bazohen në planet mësimore sipas të cilave nxënësit kanë ndjekur mësimin gjatë katër viteve të arsimit të mesëm.
Nga gjithsej 14 587 nxënës të regjistruar për maturë, 12 184 janë paraqitur për maturë shtetërore, 2276 për maturë shtetërore profesionale dhe 127 për maturë shtetërore artistike.
Nxënësit e gjimnazeve japin vetëm maturë shtetërore dhe janë regjistruar 5713 kandidatë. Maturë shtetërore mund të japin edhe nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike, të cilët zgjedhin mes maturës shtetërore dhe asaj profesionale ose artistike. Sipas të dhënave të QSP-së, nga 8629 kandidatë nga shkollat e mesme profesionale, 6353 janë regjistruar për maturë shtetërore dhe 2276 për maturë profesionale. Nga 245 kandidatë nga shkollat artistike, 118 janë regjistruar për maturë shtetërore dhe 127 për maturë artistike.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniela Jovçevska-Mihajllovska, deklaroi për MIA se përgatitjet për realizimin e maturës shtetërore, profesionale dhe artistike po zhvillohen sipas dinamikës dhe afateve të përcaktuara.
– Qëllimi ynë është që të gjithë nxënësit të kenë kushte të barabarta dhe një proces të drejtë provimi. Në përputhje me konceptin e ri, janë përgatitur teste të veçanta për secilin lloj mature, bazuar në programet përkatëse të provimit. Organizimi kërkon angazhim më të madh, por Qendra Shtetërore e Provimeve është e gatshme t’i përgjigjet këtij sfide të re, tha drejtoresha.
Ashtu si vitin e kaluar, për shkollat që nuk kanë kushte të përshtatshme hapësinore, provimet eksternë do të zhvillohen në amfiteatrot e fakulteteve.
– Këtë vit është rritur numri i shkollave që i janë drejtuar Qendrës për ndihmë në sigurimin e hapësirave në fakultete, ndërsa shkollat e tjera që kanë kushte të përshtatshme do t’i zhvillojnë provimet në sallat sportive, korridoret dhe aulat e tyre, tha Jovçevska-Mihajllovska.
Në hapësirat ku do të zhvillohen provimet është e ndaluar përdorimi i telefonave mobilë dhe pajisjeve të tjera elektronike. Drejtoresha apeloi që nxënësit të respektojnë rregullat e provimit dhe masat për shkeljen e tyre, të publikuara në matura.gov.mk dhe të shpërndara nëpër shkolla.
Më 6 qershor, duke filluar nga ora 09:00, do të zhvillohet provimi ekstern zgjedhor.
Kandidatët që kanë zgjedhur maturën shtetërore do të japin test në gjuhë të huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht ose italisht) ose matematikë. Kandidatët për maturë profesionale do të japin test në anglisht ose matematikë, ndërsa për maturë artistike zgjedhja është mes gjuhës angleze dhe historisë.
Nga QSP njoftojnë se për testin e gjuhës angleze janë paraqitur gjithsej 13 208 kandidatë, prej të cilëve 11 017 për maturë shtetërore, 2107 për maturë profesionale dhe 84 për maturë artistike.
Për matematikë janë regjistruar 1173 kandidatë – 1017 për maturë shtetërore dhe 156 për maturë profesionale, ndërsa për histori janë regjistruar 38 kandidatë për maturë artistike.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, deklaroi sot se maturë shtetërore do të ketë dhe se ajo është detyrim ligjor.
Katër gjuhët e tjera të huaja janë opsion vetëm për nxënësit që japin maturë shtetërore: 20 kandidatë për frëngjisht, 52 për gjermanisht, shtatë për rusisht dhe dy për italisht.
Provimin e detyrueshëm ekstern – gjuhë amtare (maqedonisht, shqip, turqisht ose serbisht) dhe letërsi – do ta japin të gjithë nxënësit. Ata që janë regjistruar për maturë shtetërore do ta japin më 11 qershor në orën 09:00, ndërsa kandidatët për maturë profesionale dhe artistike më 12 qershor në të njëjtën orë.
Gjuhë dhe letërsi maqedonase këtë vit do të japin gjithsej 9810 nxënës: 7809 për maturë shtetërore, 1875 për profesionale dhe 126 për artistike.
Për gjuhë dhe letërsi shqipe janë regjistruar 4199 kandidatë: 3834 për maturë shtetërore, 364 për profesionale dhe një për maturë artistike.
Gjuhë dhe letërsi turke do të japin 360 nxënës – 359 për maturë shtetërore dhe një për profesionale. Për gjuhë dhe letërsi serbe ka pesë kandidatë dhe të gjithë janë regjistruar për maturë shtetërore.
Nga QSP bëjnë të ditur se për realizimin e provimeve do të angazhohen rreth 2500 testues dhe rreth 200 vëzhgues.
Përveç provimeve eksternë, nxënësit japin edhe lëndën e dytë dhe të tretë zgjedhore në mënyrë interne, në përputhje me Konceptin për provimet në fund të arsimit të mesëm.



