Nga Amerika Latine në Shqipëri, zbulohet laboratori i kokainës – arrestohen 10 persona
Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë njofton se ka zbardhur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndës narkotike të llojit “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine, e kontaminuar dhe më pas e përpunuar dhe trafikuar në Shqipëri dhe në tregun evropian.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se ky hetim deri tani ka çuar në arrestimin e shtatë shtetasve shqiptarë dhe tre shtetasve nga Amerika Latine si dhe në zbulimin dhe sekuestrimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës, i vendosur në fshatin Qerekë, Fushë Krujë.
“Po ashtu, janë identifikuar ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës. Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale”, thuhet mes tjerash në njoftim, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, thuhet se ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Të arrestuarit janë:
Shtetas shqiptar: G.S., 42 vjeç, banues në Tiranë, K.B., 40 vjeç, banues në Tiranë, A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë, E.S., 25 vjeç, banues në Krujë, A.Z., 37 vjeç, banues në Tiranë,, I.A., 51 vjeç, banues në Shkodër B.H., 57 vjeç, banues në Durrës.
Shtetas të huaj: H.L.N., 41 vjeç, shtetas kolumbian J.R.V., 35 vjeç, shtetas venezuelian, S.A.S., 42 vjeç, shtetas venezuelian.
Provat e sekuestruara përfshijnë:
Material të papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë; 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie.
22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM; 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.