Nënshkruhet marrëveshja e paqes SHBA-Iran

Presidentët e SHBA-së dhe Iranit kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare paqeje me synimin për t’i dhënë fund luftës, duke bërë që ajo të hyjë menjëherë në fuqi.
Marrëveshja përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një plan prej 300 miliardë dollarësh për “rindërtimin” e Iranit dhe ndërprerjen nga SHBA-ja të “të gjitha llojeve të sanksioneve” ndaj Iranit.
Megjithatë, çështja e programit bërthamor të Iranit, arsyeja kryesore e deklaruar nga SHBA-ja për konfliktin, mbetet për t’u negociuar gjatë një periudhe 60-ditore, e cila mund të zgjatet.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen në Francë gjatë samitit të G7-ës, e ka mbrojtur propozimin duke thënë se ai do të shmangte një “katastrofë ekonomike”. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se SHBA-ja do ta “bombardonte rëndë” Iranin nëse nuk arrihej një marrëveshje përfundimtare.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian gjithashtu e ka nënshkruar dokumentin të mërkurën, gjë që është konfirmuar nga Teherani zyrtar.
Kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë për mediat shtetërore se mosbesimi i tij ndaj SHBA-së mbetet dhe se “gishti i Iranit është mbi këmbëzën e armës”.
“Nëse armiku nuk e kupton gjuhën e logjikës, ne do të rikthehemi përsëri me gjuhën e forcës”, ka thënë ai për transmetuesin shtetëror Fars.
Çfarë përmban marrëveshja SHBA-Iran që tashmë ka hyrë në fuqi?
SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe zyrtarë të lartë ushtarakë që në ditën e parë.
Por që nga ajo kohë, konflikti është përshkallëzuar, duke rritur çmimet e energjisë dhe duke rikthyer presionet inflacioniste, pasi Irani vendosi një mbyllje de facto të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare tregtare kyç përmes së cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.
Trumpi u ka thënë gazetarëve në Francë, në resortin buzë liqenit në Evian-les-Bains ku u mbajt samiti i G7-ës, se plani do të shmangte një “depresion ekonomik global”.
“Nuk doja të shihja një katastrofë ekonomike”, ka thënë Trumpi. “Nëse kjo do të vazhdonte, ajo mund të ndodhte”.
“E vetmja gjë që di është se sa herë që flisnim për mundësinë e paqes, tregu i aksioneve ngrihej si raketë. Sa herë që thoshim diçka negative, si për shembull se nuk do të arrinim marrëveshje, tregjet binin ndjeshëm”, ka shtuar Trumpi.
Çmimet e naftës ranë pasi u njoftua marrëveshja.
Në tregtimin e hershëm të së enjtes, nafta Brent ishte rreth 1% më e ulët, duke rënë në 78.79 dollarë për fuçi, por mbetej rreth 8 dollarë më e lartë sesa para fillimit të konfliktit.
Trumpi ka nënshkruar një kopje fizike të marrëveshjes fillestare, të quajtur memorandum mirëkuptimi, gjatë një darke shtetërore të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës.
Teksti thotë se SHBA-ja dhe Irani do të “angazhohen për të negociuar dhe arritur një marrëveshje përfundimtare brenda maksimumi 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqimin e ndërsjellë”.
Marrëveshja gjithashtu thotë se “Irani rikonfirmon se nuk do të sigurojë dhe as nuk do të zhvillojë armë bërthamore”, që ishte kushti kryesor i Trumpit që nga fillimi i luftës.
Memorandumi gjithashtu përcakton se uraniumi i pasuruar i Iranit do të “hollohet” në vend, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), agjencisë mbikëqyrëse bërthamore të OKB-së.
Fillimisht, SHBA-ja kishte kërkuar që materiali bërthamor të largohej plotësisht nga territori iranian.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, sipas marrëveshjes nuk do të ketë tarifa për anijet që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore jetike për 60 ditë.
Megjithatë, memorandumi lë të hapur mundësinë e vendosjes së tarifave në të ardhmen. Para konfliktit nuk kishte tarifa të tilla.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë në një intervistë të transmetuar në televizionin shtetëror se Ngushtica e Hormuzit “nuk do të kthehet në kushtet e para luftës”.
Ai ka lënë të kuptohet se vendi mund të fillojë t’u ngarkojë tarifa anijeve që kalojnë përmes kësaj rruge strategjike pasi të përfundojë periudha 60-ditore e parashikuar në marrëveshje.
Ndërsa Trumpi kishte premtuar më parë se do t’i shkatërronte raketat balistike të Iranit, ai ka deklaruar në samitin e G7-ës se do të ishte “në rregull” që Teherani të zotëronte armë të tilla “nëse edhe vendet e tjera i kanë ato”.
Pika e parë e marrëveshjes shpall “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.
Megjithatë, Izraeli ka deklaruar se nuk ka plane për të tërhequr trupat e tij nga Libani dhe të mërkurën ka kryer sulme kundër grupit Hezbollah.
Trumpi është bërë gjithnjë e më i shqetësuar se operacionet ushtarake izraelite kundër Hezbollahut mund të rrezikojnë marrëveshjen me Iranin. Ai e ka qortuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë samitit të G7-ës të mërkurën.
Presidenti amerikan ka thënë se Netanyahu është “një njeri i mirë”, por se mund të tregonte “pak më shumë butësi”.
“Nuk është e nevojshme të rrëzoni një ndërtesë sa herë që dikush nga Hezbollahu hyn në të”, ka thënë Trumpi.
Pas darkës në Pallatin e Versajës, Trumpi ka bnisur udhëtimin e tij të kthimit drejt Uashingtonit, ku plani i paqes me Iranin ka shkaktuar pakënaqësi te ligjvënësit e të dy krahëve politikë, përfshirë edhe anëtarë të partisë së tij.
Senatori republikan nga Luiziana, Bill Cassidy, i cili së fundmi ka humbur garën për rizgjedhje ndaj një kundërshtari të mbështetur nga Trumpi ka thënë se “kjo është gafa më e madhe e politikës së jashtme në dekada”.



