“Në Shqipëri po ndërtohet Europa”, Rama: Brenda dekadës të jemi gati për në BE
Kryeministri Edi Rama e vlerëson ambicioz planin që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Në fjalën e tij pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama tha se Shqipëria duhet të jetë gati për anëtarësim në BE brenda dekadës.
“Është synimi ynë ta përmbyllim këtë proces brenda kësaj dekade dhe të jemi gati të trokasim në dyert e Këshillit Europian si shtet anëtar. Kjo sigurisht është shumë ambicioze, do kërkojë volum të jashtëzakonshëm pune. Kemi punuar shumë pranë me Komisionin dhe kemi hartuar së bashku një udhërrëfyes. Kemi një plan dhe po kështu mbështetemi te miqtë dhe partnerët tanë për të na ndihmuar ta arrijmë këtë gjë. Kemi nevojë për dije, kemi nevojë për mbështetjen e trurit. Jam besimplotë që përsa na takon ne, do të përmbushim të gjitha standardet apo piketat e ndërmjetme, një koncept që hyri sot në jetën time”.
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje një deklaratë të eurokomisionerit Varhelyi, që në “Shqipëri ka nisur të ndërtohet Europa”. E sipas Ramës, kjo është ajo çka qeveria e drejtuar prej tij kërkon të arrijë deri në vitin 2030.
“Çfarë është e rëndësishme për ne është ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar për mënryën se si funksionon dhe kjo është gjëja më e rëndësishme sepse nuk duam që Shqipëria të largohet, të marrë çantat dhe të vijë në Bruksel. Duam që BE të vijë në Shqipëri. Varhelyi tha “në Shqipëri kemi nisur të ndërtojmë Europën, dhe është pikërisht ajo që duam të përfundojmë”.