Në 24 orët e fundit Izraeli vret 20 palestinezë në Gaza
Të paktën 20 palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet e fundit ajrore të kryera nga avionët luftarakë izraelitë në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, 10 palestinezë u vranë në sulmet ajrore të Izraelit në rajonin Gizan Rashvan, që ndodhet në jug të qytetit Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Ekipet e Mbrojtjes Civile thanë gjithashtu se 2 persona u vranë në sulmin ndaj një automjeti në lagjen Manara të Khan Yunus, se trupat e pajetë të 5 personave që humbën jetën në sulmet në rajonin Zaitoun në jug të qytetit të Gazës u hoqën nga rrënojat dhe se po përpiqeshin të arrinin te 4 persona nën rrënoja.
Sipas informacionit të marrë nga spitali “Dëshmorët e Al-Aksës” në qytetin Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, 3 palestinezë humbën jetën në sulmin ajror në rajonin Bassa në perëndim të qytetit.
Sipas deklaratës së djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 45.885 palestinezë, përfshirë mbi 17.800 fëmijë, 12.300 gra, janë vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Ndërsa raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet gjithashtu duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.