MPJ e Maqedonisë së Veriut shpreh keqardhje për incidentin me Presidenten Vjosa Osmani
Në lidhje me incidentin e shkaktuar në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës ruajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të ndershëm dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup.
Njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në reagimin e MPJ-së së RMV-së.