Mishel: BE-ja nuk duhet të lejojë që Ballkani Perëndimor të bjerë në një “zonë gri”
Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, ende jam absolutisht i bindur, më shumë se kurrë, se kandidatët për anëtarësim në BE mund të jenë gati për pranim në BE deri në vitin 2030, tha kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
“Nëse duam një stabilitet më të madh, siguri më të madhe, prosperitet në të ardhmen, nuk duhet të lejojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të bien në një “zonë gri”, ku disa të tjerë do të luajnë lojëra për të destabilizuar ato vende dhe institucionet e tyre, të destabilizojnë BE-në, vlerat dhe parimet demokratike”, tha Mishel.
Ai theksoi se do të ishte absurde nëse BE-ja nuk do ta përshpejtonte anëtarësimin e vendeve kandidate për anëtarësim, por se ky proces nuk është vetëm përgjegjësi e Unionit.
“Kemi detyra shtëpie që duhet t’i kryejmë. Kjo është arsyeja pse ne kemi Agjendën Strategjike për t’u përgatitur për këtë zgjerim të ardhshëm, i cili e dimë se do të ketë pasoja, përfshirë në aspektin e solidaritetit financiar edhe në aspektin e procesit të vendimmarrjes”, theksoi Mishel, duke shtuar se liderët evropianë janë ende të vetëdijshëm se BE-ja duhet të përgatitet për zgjerimin e ardhshëm pavarësisht sfidave politike.
Ai thekson se BE-ja duhet të jetë më e shkathët për të arritur progres më të madh në drejtim të zgjerimit, por, sipas tij, vendet kandidate për anëtarësim i kanë detyrat e tyre dhe e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë.
“Ata duhet të respektojnë legjislacionin e BE-së, nga njëra anë dhe duhet të përmirësojnë menaxhimin e luftës kundër korrupsionit, në mënyrë që të jemi të sigurt se ndajmë të njëjtin kuadër ligjor”, tha Mishel.
Kryetari i Këshillit të BE-së thekson se kjo është ajo që kërkohet nga kandidatët për anëtarësim sa i përket reformave që duhet të zbatojnë, por duhet të zgjidhin edhe mosmarrëveshjet, që është një sfidë serioze.
“Do të thosha se ndoshta më të vështirat janë mosmarrëveshjet, por ndonjëherë mosmarrëveshjet mes tyre dhe disa prej vendeve tona anëtare janë edhe më sfiduese”, konsideron Mishel.
Sipas tij, këto mosmarrëveshje, herët a vonë, mund të zgjidhen lehtësisht nëse shikohet nga e ardhmja dhe nëse BE-ja shihet si prioritet.
“Duhet zgjidhje, sepse paraqesin pengesë për arritjen e progresit”, thekson Mishel, duke shtuar se është çështje e vullnetit politik.
Ndryshe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia përballen me “disa sfida të tjera”, por liderët e BE-së bënë një “zgjedhje vizionare” kur vendosën t’u japin statusin kandidat këtyre tre vendeve.
“Nuk ka arsye për t’u vonuar. Përkundrazi, sa më shumë të zvarritemi, aq më shumë i lejojmë disa të tjerë që nuk kanë të njëjtat vlera, të njëjtat parime dhe interesa si ne, të përdorin zvarritjen tonë për të na futur në telashe”, thotë Mishel në intervistë për ENR/MIA.
Për mundësinë e ndryshimit të parimit të unanimitet gjatë marrjes së vendimeve lidhur me zgjerimin, Mishel thotë se mbizotëron mendimi se konsensusi është pengesë në këtë proces dhe se ky rregull duhet ndryshuar.
Ai thekson se shumica e vendimeve në Union merren me shumicë të kualifikuar dhe se parimi i zgjidhjes me konsensus kufizohet vetëm në disa tema specifike, si punët e jashtme, mbrojtja, siguria…
“Por dua vetëm të paralajmëroj, se nëse lëvizim më shpjet se sa duhet për të hequr dorë nga parimi i unanimitet, atëherë rezultati do të ishte ose mund të ishte se nuk do të mund të bëjmë atë që është e nevojshme në ndërtimin e qëndrimeve të përbashkëta”, konsideron Mishel, duke vlerësuar se mund të shkaktojnë “disa zhgënjime” dhe përçarje në Këshillin e BE-së dhe që ato ndarje të bëhen “normalja e re” për Unionin.
Sipas tij, gjërat nuk janë “bardh e zi” dhe nuk mund të thuhet se konsensusi është katastrofë dhe vendimmarrja e shumicës do të ishte mendimi më i mirë, këtu duhet gjetur një zgjidhje e ndërmjetme.
“Mendoj se duhet të jetë e mundur të identifikohen disa parime për të mundësuar të drejtën e vetos kur kërcënohen apo rrezikohen interesat kyçe kombëtare”, thekson Mishel, duke shtuar se duhet të gjenden ende mënyra për të parandaluar abuzimin me të drejtën e vetos.