Ministria e Shëndetësisë doli me informacione për gjendjen epidemiologjike në rajonin e Gostivarit

Ministria e Shëndetësisë njofton se institucionet kompetente shëndetësore vazhdojnë me monitorimin dhe hetimin intensiv të numrit të shtuar të personave me simptoma të gastroenterokolitit në rajonin e Gostivarit, transmeton Portalb.mk.
Në periudhën nga 18 korrik, ora 08:00, deri më 19 korrik, ora 08:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit janë regjistruar:
204 kontrolle në Repartin e Sëmundjeve Infektive, ku tre persona janë shtruar në spital;
140 kontrolle në Repartin e Pediatrisë, prej të cilave 105 raste të reja dhe 35 kontrolle;
nëntë kontrolle në Qendrën Emergjente.
Pasqyra klinike te shumica e pacientëve është e lehtë, ndërsa numri i personave të shtruar në spital mbetet i ulët. Megjithatë, për shkak të numrit të shtuar të të prekurve në një periudhë të shkurtër kohore, situata trajtohet si një ngjarje aktive epidemike dhe po zbatohen të gjitha aktivitetet e nevojshme epidemiologjike, laboratorike dhe parandaluese.
Njësia Rajonale e Qendrës për Shëndet Publik në Gostivar po kryen inspektime në terren, anketa epidemiologjike dhe grumbullimin e të dhënave nga të sëmurët. Deri më tani janë dorëzuar rreth 140 njoftime zyrtare për sëmundje ngjitëse, të cilat po përpunohen nga ekipet epidemiologjike të Qendrës për Shëndet Publik Tetovë dhe Institutit të Shëndetit Publik.
“Instituti i Shëndetit Publik është i përfshirë në hetim me mbështetje profesionale dhe laboratorike, ndërsa ekipet e përbashkëta vazhdojnë me intervistimin e të sëmurëve, analizimin e ekspozimeve të mundshme të përbashkëta dhe ekzaminimin mikrobiologjik të mostrave të marra”, thonë nga Ministria.
Në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, institucioni kompetent për shpalljen e epidemisë në rajonin e Gostivarit është Qendra për Shëndet Publik Tetovë. Pas përfundimit të inspektimeve në terren, anketave epidemiologjike dhe konsolidimit të njoftimeve të pranuara, Qendra kompetente sot do të marrë vendimin përkatës.
Aktualisht janë në zhvillim:
hetimi epidemiologjik dhe monitorimi aktiv i rasteve të reja;
analizat mikrobiologjike të mostrave të pacientëve;
analizat e mostrave të ujit dhe vlerësimi i burimeve të mundshme të infeksionit;
mbikëqyrja e furnizimit me ujë dhe e kushteve sanitare-higjienike;
koordinimi me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe institucionet lokale.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të ndjekin rekomandimet zyrtare, të mbajnë higjienë të rregullt të duarve, ndërsa personat me të vjella, diarre, temperaturë të lartë ose shenja të dehidratimit të kërkojnë me kohë ndihmë mjekësore. Publiku do të informohet rregullisht dhe në mënyrë transparente për rezultatet laboratorike, ecurinë e numrit të të prekurve dhe për të gjitha masat shtesë që do të ndërmerren”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit në Gostivar është regjistruar një rritje e konsiderueshme e rasteve me simptoma të gastroenterokolitit, si të vjella, diarre dhe temperaturë, duke bërë që institucionet shëndetësore të intensifikojnë kontrollet dhe hetimet epidemiologjike. Autoritetet po analizojnë mostrat e pacientëve dhe të ujit për të përcaktuar burimin e mundshëm të infeksionit, ndërsa situata po trajtohet si një ngjarje aktive epidemike. Shumica e pacientëve kanë pasur simptoma të lehta, por për shkak të numrit të madh të rasteve në një periudhë të shkurtër, institucionet kanë ndërmarrë masa të shtuara për monitorim, parandalim dhe mbrojtje të shëndetit publik.



