Ministria e Mjedisit: Ne jemi transparent, por e kuptojmë nervozën e binomit BDI-LSDM

Lidhur me akuzat e BDI-së për korrupsion ka reaguar Ministria e Mjedisit Jetësor, nga ku thonë se është i kuptueshëm nervozizmi i BDI-së, pas skandaleve që dalin çdo ditë në shesh.
“E kuptojmë nervozën e binomit BDI-LSDM që vjen pas skandaleve të njëpasnjëshme që po dalin në shesh çdo ditë, dhe që po nxjerr në dritë skandelet dhe keq qeverisjen e tyre. E kuptojmë këtë shqetësim në periudhë kur kjo Ministri dhe kjo Qeveri po zhvillon në pak muaj projekte me buxhete që binomi BDI-LSDM nuk i ka zhvilluar për shumë vite qeverisje të paaftë”, thonë nga kjo Ministri.
Sipas kësaj ministrie, qeverisja BDI-LSDM është sinonim i keqmenaxhimit të shtetit dhe korrupcionit masiv, që ka vështirësuar jetën e qytetarëve në çdo lëmi.
“Edhe sot, LSDM me pres-konferencën e zhvilluar dëshmoi paaftësinë për të lexuar dhe kuptuar dokumente, njejtë siç nuk dinte të lexon nevojat e qytetarëve dekadën e kaluar të qeverisjes me BDI-në. Imagjinoni, binomi LSDM-BDI që keqpërdori qindra miliona euro nga shteti në kohën e krizës COVID, krizës me inflacionin dhe krizës energjetike, binom i cili i dha liçenca 20 fabrikave të marihunës, qindra kazinove në çdo lagje, me zëvendëskryeministra në lista të zeza, po tenton të krijojë temë nga një procedurë administrative, të cilën si praktikë e kishin instaluar vet LSDM-BDI, ndërsa ne tani po e menjanojmë”, thonë nga MMJPH.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, shton më tej se është transparente dhe e hapur, për çdo organ hetimor apo mjet të informimit që dëshiron të verifikojë gjendjen.
Reagimet e LSDM-së dhe BDI-së, thuhet në reagim, vijnë në kohën kur Ministria e Mjedist Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor së bashku me Inspektoratin e Mjedisit Jetësor po zbulojnë skandale të panumërta nga qeverisja e kaluar.