Ministri izraelit i Mbrojtjes pretendon se pasardhësi i mundshëm i Nasrallahut mund të jetë vrarë
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant pretendoi se kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Hezbollahut, Hashim Safiyuddin, njëherësh pasardhës i mundshëm i Hasan Nasrallahut, mund të jetë vrarë, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Gallant tha se i kanë dhënë një “goditje të rëndë” Hezbollahut me sulmet e fundit.
Duke iu referuar një serie vrasjesh të organizuara nga Izraeli, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Hezbollahut, Hasan Nasrallah, Gallant tha: “Hezbollahu është një organizatë pa lider, Nasrallah është eliminuar, zëvendësuesi i tij (Safiyuddin) ka gjasa se është eliminuar. Kjo ka një ndikim dramatik në çdo gjë që ndodh. Nuk ka kush të marrë vendime, nuk ka kush të veprojë”.
Duke i dërguar mesazh Iranit, Gallant tha: “Kur tymi në Liban të pastrohet, Irani do të kuptojë se ka humbur pasurinë e tij më të vlefshme, Hezbollahun”.
Hasan Nasrallah u vra në sulmet ajrore izraelite në rrethin Dahiye në Bejrutin jugor më 27 shtator.
Hezbollahu nuk e ka përcaktuar ende personin që do të zëvendësojë Nasrallahun, por Safiyuddin është përfolur më së shumti për këtë detyrë.
Shtypi izraelit kishte shkruar se Safiyuddin ishte shënjestruar në një sulm ajror të kryer nga ushtria izraelite në jug të Bejrutit natën e 3 tetorit.