Ministri i Kulturës në Itali jep dorëheqjen pas aferës seksuale
Ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, dha dorëheqjen nga posti pasi pranoi se pati aferë seksuale me një grua që u përpoq ta punësonte.
“Pasi kam menduar shumë, në ditë të dhimbshme të mbushura me urrejtje kundër meje nga pjesë të një sistemi të caktuar mediatik politik, kam vendosur të jap dorëheqjen në kushte të parevokueshme si ministër i Kulturës”, shkruan ai në një letër dërguar kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke e falënderuar për mbrojtjen që i bëri. Kryeministrja e pranoi dorëheqjen të premten pasi fillimisht e refuzoi.
Sangiuliano e pranoi të mërkurën se ka pasur lidhje me influencuesen e rrjeteve sociale Maria Rosaria Boccia, të cilën ishte përpjekur ta punësonte si konsulente ministrie.
Boccia njoftoi në Instagram se kishte rolin e ri si këshilltare për ngjarjet kryesore të Ministrisë së Kulturës –pretendim që vetë Ministria e mohoi. Ajo ka publikuar edhe foto në udhëtime pune me Sangiulianon, i cili është i martuar.
Në një intervistë me transmetuesin shtetëror të Italisë RAI, Sangiuliano në atë kohë këmbënguli se nuk u përdorën para publike për të paguar udhëtimet me Boccian dhe se nuk kishte qasje në dokumente konfidenciale. Ai ka ofruar dorëheqjen të mërkurën, të cilën Meloni nuk e ka pranuar.
Ai do të zëvendësohet nga Alessandro Giuli, president i Fondacionit MAXXI.