Ministri i Bujqësisë paralajmëroi dëmshpërblim për blegtorët, delet e të cilëve ngordhën nga sëmundja e lisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, tha se është përgatitur metodologjia për dëmshpërblimin e blegtorëve, delet e të cilëve gjatë periudhës së fundit ngordhën për shkak të lisë. Deri tani, sipas ministrit, numri i deleve të ngordhura po i afrohet 10 mijë krerëve.

“Zyrtarisht, sipas rregullave, në të njëjtin vend nuk do të mund të mbahet përsëri bagëti për të paktën gjashtë muaj. Prandaj, ne do të përpiqemi maksimalisht që të realizojmë pagesa për blegtorët, në mënyrë që ata të mund të përgatiten për blerjen e deleve të reja”, deklaroi sot ministri.

Ai informoi se deri tani nga Bashkimi Evropian janë siguruar 450 mijë vaksina kundër lisë së deleve dhe dhive dhe se është marrë leja për përdorimin e tyre. Në këtë drejtim, Serafimovski njoftoi se gjatë javës së ardhshme ministria përkatëse do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e blegtorëve, për të dakorduar hapat e ardhshëm dhe mundësinë e vaksinimit të bagëtive.

Ministri vlerësoi se situata me linë te delet po stabilizohet dhe se, për momentin, përhapja është e kufizuar në Rajonin Lindor, i cili është një nga zonat më të prekura. Ai shtoi se blegtorët po veprojnë në përputhje me të gjitha masat e përcaktuara, përkatësisht po izolojnë tufat, si rezultat i së cilës po ulet numri i kafshëve të prekura.

“​​Në koordinim me blegtorët do të shqyrtohen hapat e ardhshëm për përballimin e sëmundjes dhe do të shqyrtojmë mundësinë e vaksinimit të bagëtive, në përputhje me rekomandimet e ekspertëve evropianë”, deklaroi ministri.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button