Mickoski: Shumë shpejt do të bëhet e ditur çfarë ka ndodhur në Gostivar, do të ketë përgjegjësi

Kryeministri Hristijan Mickoski, lidhur me situatën aktuale në Gostivar, ku një numër i madh qytetarësh po ankohen për probleme gastrointestinale, theksoi se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për këtë rast.
“Në këtë moment të gjitha institucionet janë në terren, po ndërmerren masa, po analizohen mostrat e ujit dhe kemi një proces që po udhëhiqet edhe nga Prokuroria. Besoj se shumë shpejt do të dalim me informacion se çfarë ka ndodhur, kush e ka dhënë urdhrin që kjo të ndodhë dhe, natyrisht, do të ketë përgjegjësi”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës së sotme në Komunën e Debërcës.
Ai theksoi se për të është tronditëse mënyra e papërgjegjshme me të cilën, sipas tij, kanë vepruar individë të caktuar, duke përsëritur se askush nuk do t’i shmanget përgjegjësisë.
“Ky rast nuk do të kalojë pa pasoja. Me të vërtetë nuk mund ta kuptoj se si disa njerëz mund të sillen kaq paturpësisht dhe kaq papërgjegjshëm. Është e pabesueshme se si i marrin kaq lehtë këto çështje dhe vendosin të bëjnë gjëra të tilla. Për mua, kjo është tronditëse dhe e vështirë për t’u besuar ajo që dikush ka bërë atje. Por do të ketë përgjegjësi dhe, natyrisht, ajo do të përcaktohet më tej në kuadër të proceseve gjyqësore”, tha kryeministri Mickoski.



