Mickoski me mesazh për Ditën e Policisë: Koha e mesazheve “do ta rregulloj” dhe “do të thërras” ka përfunduar

Kryeministri Hristijan Mickoski, me rastin e Ditës së Policisë – 7 maj, dërgoi një mesazh të qartë se nuk do të ketë kompromis me krimin. Sipas tij, korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë vend në një shtet që dëshiron të ecë përpara.
“Sot po dërgojmë një mesazh të fuqishëm: nuk ka kompromis me krimin. Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë vend në një shtet që dëshiron përparim. Ne jemi të vendosur, si Qeveri, si institucione, por mbi të gjitha si shoqëri – se kjo betejë duhet të zhvillohet me përkushtim të plotë, me partnerë të vërtetë dhe me duar të pastra. Thuhet se ‘drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por kurrë nuk duhet të jetë e verbër’. Detyra jonë është t’ia hapim sytë – përmes një policie profesionale, etike dhe të pakorruptueshme. Një polici që ndjek krimin, pa marrë parasysh nëse ai fshihet pas maskës, pozitës apo parasë”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se për këtë arsye po investojnë dhe do të vazhdojnë të investojnë në polici – në teknologji, pajisje, trajnim, por edhe në dinjitetin e policëve.
“Misioni juaj është i shenjtë – të ruani rendin, por edhe të riktheni besimin te qytetarët. ‘Kur drejtësia hesht, padrejtësia bëhet e zëshme’, ka thënë një njeri i urtë. Por me ju – me punën, përkushtimin dhe sakrificën tuaj – padrejtësia mbetet pa hapësirë. Ajo tërhiqet përballë një policie të ndershme, të vendosur dhe moderne”, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se policia nuk është vetëm uniformë dhe detyrë zyrtare – por ajo është njeriu.
“Njeriu që zgjohet më herët se të gjithë, del në terren dhe përballet me rreziqe nga të cilat të gjithë ne përpiqemi të mbrohemi. Ky njeri – polici – nuk mendon vetëm për sigurinë e tij, por edhe për tonën”, tha ai.
Mickoski theksoi se në Maqedoni nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia – dhe se ligji do të vlejë për të gjithë.
“Kriminelët shëtitnin lirshëm, shteti heshtte dhe qytetarët jetonin me ndjenjën e pafuqisë. Kishte kohë kur institucionet përdoreshin si mjete për interesa personale dhe politike, jo për drejtësi. Mesazhet ‘do ta rregulloj’ dhe ‘do të thërras’ ishin më të fuqishme se ligji. Por ajo kohë ka përfunduar. Dua sot, publikisht dhe me zë të lartë, të them: Në këtë shtet nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia. Ligji vlen për të gjithë – pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për një qytetar të zakonshëm, një funksionar apo një biznesmen. Fuqia e shtetit nuk matet me privilegjet e individëve, por me atë nëse drejtësia arrin te të gjithë – si te më të fuqishmit, ashtu edhe te më të margjinalizuarit”, deklaroi ai.
Në fund, Mickoski falënderoi policët për çdo natë pa incidente, për çdo jetë të shpëtuar dhe për çdo kriminel që vihet përballë drejtësisë.
“Siguria nuk është vetëm statistikë. Ajo është ndjenjë. Është kur një prind pa frikë e çon fëmijën në shkollë. Kur një nënë kthehet e qetë në shtëpi në orët e vona. Kur çdo qytetar e di që shteti është pas tij. Këtë ndjenjë na e falni ju – policët. Prandaj, me zemra të plota, ju urojmë. Gëzuar Ditën e Policisë së Maqedonisë. T’ju falënderojmë për çdo natë pa incidente, për çdo jetë të shpëtuar, për çdo kriminel që përballet me drejtësinë. Ju uroj shëndet, forcë dhe gjithmonë – kthim të sigurt në shtëpi. Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Maqedoninë tonë”, përfundoi fjalimin e tij kryeministri Mickoski.