Mickoski: Dënimet për praktikat e padrejta tregtare do të jenë dhjetëfish më të larta

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi një takim të ri me përfaqësuesit e marketeve dhe distributorëve, me qëllim parandalimin e sjelljeve të padrejta tregtare dhe kontribuimin në stabilizimin e çmimeve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, ai theksoi se Qeveria tashmë ka caktuar për të hënën një takim me zinxhirët tregtarë dhe distributorët, ku do të dërgohet një mesazh i qartë për mënyrën se si duhet të funksionojë tregu.

“Do të dërgojmë një mesazh të fortë për mënyrën e sjelljes së tyre në treg”, deklaroi Mickoski.

Ai paralajmëroi gjithashtu ndryshime ligjore me të cilat dënimet për praktikat e padrejta tregtare do të rriten dhjetëfish, ndërsa paralelisht do të intensifikohen kontrollet inspektuese.

Kryeministri u bëri thirrje prodhuesve, furnizuesve dhe distributorëve që të raportojnë rastet e sjelljeve të padrejta tregtare nga marketet, duke theksuar se ekzistojnë praktika të pagesave të tarifave të ndryshme përmes kompanive dhe shërbimeve ndërmjetëse.

“Kjo është një sekret publik dhe të gjithë e dinë. I inkurajoj të dëshmojnë që ne si shtet të mund të reagojmë”, tha Mickoski.

Sa i përket inflacionit, ai vlerësoi se Maqedonia është ndër vendet me normën më të ulët të inflacionit në rajon, duke theksuar se aktualisht ai lëviz mes 4,5 dhe 4,7 për qind.

Sipas tij, me qetësimin e krizës ndërkombëtare, masat e Qeverisë dhe aktivitetet e institucioneve, ekziston mundësia që inflacioni në periudhën e ardhshme të bjerë nën katër për qind.

Mickoski shtoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka përgatitur një metodologji të re për shportën minimale të konsumit, e cila është shqyrtuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Ekonomik-Social në konsultim me disa institucione dhe partnerë socialë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button