Mexhiti: Zbutja e ndikimit të ndryshimeve klimatike, prioritet i Qeverisë
Maqedonia e Veriut përballet me ndikime të rënda të ndryshimeve klimatike dhe ka nevojë për investime të mëdha për të mbrojtur njerëzit dhe ekonominë, u tha gjatë prezantimit të dy rapoprteve të Bankës Botërore, në konferencën e zhvilluar sot në Shkup, njëri për klimën dhe tjetri për financat publike, e që adresojnë sfidat klimatike që përballemi si vend.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, tha se dy raportet e publikuara sot, për klimën dhe financat publike, do të jenë një ndihmë e jashtëzakonshme në përmbushjen e qëllimeve ambicioze klimatike të ministrisë që drejton dhe të qeverisë.
Në Raportin e i ri të Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin e vendit, u tha se Maqedonia e Veriut duhet të përshpejtojë tranzicionin energjetik për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050, në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian.
Sipas raportit, nga përmbytjet shkatërruese dhe ngjarje të rënda të motit, si shirat e rrëmbyeshëm dhe valët e të nxehtit, janë shkaktuar humbje prej 667 milionë dollarësh gjatë 20 viteve të fundit, ndërsa sfidat klimatike të Maqedonisë së Veriut po shtohen.
“Rreziqet natyrore prekin në mënyrë disproporcionale sektorët vulnerabël, veçanërisht bujqësinë, ku fermat e vogla familjare janë të prekura nga thatësira dhe breshri për shkak të ujitjes së pamjaftueshme, mbrojtjes nga breshri dhe sigurimit”, tha Massimiliano Paolucci, drejtor i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.