Mexhiti nga Kuvendi Themelues i VLEN-it: Shqiptarët po marrin hisen që u takon në buxhetin e shtetit

Në Kuvendin Themelues të VLEN-it, bashkëkryetari Izet Mexhiti deklaroi se subjekti i ri politik riafirmoi vizionin e tij për një përfaqësim që, sipas tij, matet me rezultate konkrete, punë dhe zhvillim për qytetarët.
Mexhiti tha se për vite me radhë shqiptarëve u janë premtuar barazi, përfaqësim dhe zhvillim, por se treguesi më i drejtë i këtyre premtimeve ka qenë gjithmonë buxheti i shtetit.
“Sot mund të themi me përgjegjësi se, pas shumë kohësh, shqiptarët po marrin hisen që u takon”, u shpreh ai.
Duke folur për investimet që po realizohen, Mexhiti veçoi mbi 40 milionë euro për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, 74 milionë euro për Spitalin e Tetovës dhe më shumë se 200 milionë euro për autostradën Shkup–Bllacë.
“Ndërkohë, përmes projekteve të ndryshme zhvillimore, po realizohen rreth 100 milionë euro investime në komunat shqiptare, në shkolla, çerdhe, rrugë lokale, ujësjellës dhe infrastrukturë”, tha Mexhiti.
Sipas tij, këto projekte dëshmojnë se shqiptarët përfitojnë kur përfaqësohen me përgjegjësi në institucione.
“Këto projekte faktojnë se kur shqiptarët përfaqësohen me përgjegjësi, ata marrin atë që u takon”, deklaroi ai.
Mexhiti kritikoi qeverisjet e kaluara, duke vlerësuar se zhvillimi për shumë vite ka mbetur peng i një klase politike që kishte humbur lidhjen me qytetarët.
“U fol shumë, por u punua pak. Pushteti u trajtua si privilegj, ndërsa nevojat reale të njerëzve mbetën në plan të dytë”, tha ai.
Ai theksoi se VLEN-i nuk është pjesë e qeverisë vetëm për të ushtruar pushtet, por për të siguruar investime dhe zhvillim të prekshëm për shqiptarët.
“Përfaqësimi i vërtetë nuk matet me numrin e funksioneve, por me universitetet që ndërtohen, spitalet që modernizohen, rrugët që lidhin qytetet tona dhe investimet që arrijnë aty ku kanë munguar për vite të tëra”, u shpreh Mexhiti.
Duke folur për rolin e komunave, ai tha se zhvillimi duhet të nisë nga niveli lokal dhe se vendimet duhet të mbështeten në nevojat e qytetarëve.
“Prandaj, po i fuqizojmë komunat, sepse zhvillimi fillon aty ku jetojnë qytetarët. Vendimet duhet të mbështeten në nevojat dhe prioritetet e tyre”, deklaroi Mexhiti.
Në fund, ai premtoi vazhdimin e politikave që, sipas tij, sigurojnë shpërndarje më të drejtë të investimeve dhe fondeve publike.
“Do të vazhdojmë kështu. Për secilën komunë, për secilin qytetar, për shqiptarët”, përfundoi bashkëkryetari i VLEN-it.



