Mexhiti: Kazinotë po mbyllen, rradhën e kanë kreditë e shpejta

Kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti ka deklaruar se ka nisur “lufta ligjore” kundër bixhozit dhe kumarit, duke e cilësuar këtë dukuri si një fatkeqësi për shoqërinë.
“Sot po fillon lufta jonë ligjore me bixhozin dhe kumarin. Kemi premtuar t’i mbrojmë familjet tona nga ky mallkim. Sot po nisim me veprime konkrete në këtë drejtim”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka bërë të ditur se masat e para përfshijnë vendosjen e distancës prej 500 metrash nga shkollat për objektet e lojërave të fatit, ndalimin e reklamave të bixhozit dhe rregulla më të forta për mbrojtjen e familjeve.
“Po vendosim 500 metra distancë nga shkollat. Po ndalojmë reklamat e bixhozit. Po sjellim rregulla më të forta për mbrojtjen e familjeve”, ka theksuar ai.
Mexhiti ka kritikuar qasjen e deritanishme ndaj këtij problemi, duke thënë se për vite me radhë është protestuar kundër bixhozit, por numri i kazinove vetëm është rritur.
“Vite me radhë flitej e protestohej kundër bixhozit, por kazinotë shtoheshin përditë; e sot, pa protestë, pa zhurmë, po japim zgjidhje ligjore”, ka deklaruar Mexhiti.
Sipas tij, premtimet e dhëna para qytetarëve po shndërrohen në veprime konkrete.
“Sepse kur japim zotim para qytetarëve, nuk bëjmë propagandë. E bëjmë realitet”, është shprehur ai, duke shtuar se “kazinotë po mbyllen, rradhën e kanë kreditë e shpejta”.



