Shoqatat franceze kërkojnë vendim gjykate për të ndaluar dërgesën drejt një kompanie izraelite të armëve

Tre shoqata franceze iu drejtuan një gjykate administrative në Paris, duke kërkuar ndalimin e një dërgese të destinuar për kompaninë izraelite të mbrojtjes Elbit Systems, duke iu referuar detyrimeve të Francës sipas së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Shoqata franko-palestineze NIDAL, shoqata për të drejtat e njeriut ASER dhe JURDI (Juristët për Respektimin e së Drejtës Ndërkombëtare) thanë në një deklaratë se i ishin drejtuar gjyqtarit të masave urgjente pranë Gjykatës Administrative të Parisit, përmes procedurës së përshpejtuar për mbrojtjen e lirive themelore.
Shoqatat thanë se veprimi i tyre ligjor erdhi pas raportimeve se kompania Mijno Precision Gearing SAS, me seli në Saint-Etienne, kishte tentuar të dërgonte kuti ingranazhesh planetare të destinuara për automjete ushtarake te Elbit Systems Land, divizioni i sistemeve tokësore i kompanisë izraelite.
Dërgesa, e planifikuar fillimisht të nisej me një fluturim të Air France më 8 tetor, raportohet se nuk u ngarkua pas një alarmi të ngritur nga grupet e shoqërisë civile dhe mobilizimit të sindikatave në aeroportin Roissy.
Sipas deklaratës, dërgesa tani është planifikuar të niset të shtunën nga aeroporti Paris-Charles-de-Gaulle me një fluturim të kompanisë El Al.
Shoqatat thanë se kërkesa e tyre ligjore sfidon “mos veprimin e shtetit francez” dhe i kërkuan gjyqtarit të urdhërojë autoritetet të verifikojnë klasifikimin e mallrave, të bëjnë të ditur nëse është lëshuar një licencë eksporti, të identifikojnë përdoruesin përfundimtar dhe të pezullojnë dërgesën.
“Komponentët precizë të prodhuar në Francë nuk mund t’i dorëzohen një subjekti, aktivitetet e të cilit janë ekskluzivisht ushtarake, pa mbikëqyrje efektive nga shteti. Ishin punonjësit dhe aktivistët ata që penguan nisjen e parë. Tani i takon shtetit ose, nëse ai nuk vepron, gjyqtarit të sigurojë respektimin e ligjit”, shtuan shoqatat.
Shoqatat argumentuan gjithashtu se lejimi i nisjes së dërgesës do ta bënte Francën përgjegjëse.



