MPB: Dhjetë shoferë të arrestuar, disa pa patentë dhe të tjerë nën ndikimin e alkoolit

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në lokacione të ndryshme në vend, policia ka privuar nga liria dhjetë shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik. Sipas MPB-së, në mesin e të arrestuarve ka persona që kanë drejtuar automjete pa patentë shoferi, nën ndikimin e alkoolit ose pavarësisht ndalesës aktive për drejtim të automjetit.

“Gjatë 24 orëve të fundit, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria 10 shoferë për kryerjen e veprës penale ‘Drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik’, sipas nenit 297-a të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas policisë, katër persona kanë drejtuar automjete pa e dhënë provimin e vozitjes. Bëhet fjalë për një 43-vjeçar nga Manastiri, një 44-vjeçar nga Kërçova, një të mitur nga Shkupi dhe një 35-vjeçar nga fshati Vatashë, në rrethinën e Kavadarit, i cili drejtonte traktor.

Dy shoferë të tjerë janë kapur duke drejtuar automjete nën ndikimin e alkoolit. Te një 21-vjeçar nga Shkupi janë matur 1,99 promilë alkool në gjak, ndërsa te një 67-vjeçar nga Shtipi janë regjistruar 1,77 promilë.

“Tre shoferë kanë drejtuar automjete edhe përkundër faktit se kanë pasur masë aktive ndalimi për drejtimin e automjetit motorik”, bëjnë të ditur nga MPB-ja.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për dy persona nga Kërçova, të moshës 55 dhe 54 vjeç, si dhe një 58-vjeçar nga fshati Iliovë, në rrethinën e Dellçevës.

Ndërkohë, policia ka konstatuar edhe një rast tjetër, ku një i mitur nga Negotina ka drejtuar motoçikletë pa patentë shoferi, ndërsa mjeti ka qenë edhe i paregjistruar.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.

Ministria u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, duke theksuar se drejtimi i automjetit pa patentë, gjatë kohës së ndalimit aktiv ose nën ndikimin e alkoolit rrezikon sigurinë rrugore.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të kontribuojnë së bashku për siguri më të madhe në trafik”, thuhet në apelin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button