Me një investim prej mbi një miliard eurosh në sektorin e energjisë, grupi turk “Kazancı Holding” hyn në RMV

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi dje në një konferencë për shtyp për një mega-investim në termocentrale me gaz, me vlerë gati një miliard euro nga grupi turk “Kazancı Holding”. Kjo kompani, përmes filialeve të saj energjetike që operojnë nën markën “AKSA”, është një nga gjigantët më të mëdhenj në sektorin e energjisë.
Me më shumë se 25 vjet përvojë, “AKSA Energy” është një kompani kryesore turke në sektorin energjetik dhe një investitor global në energjinë e qëndrueshme. Ajo ka një kapacitet të instaluar prej mbi 3,500 MW në tetë vende, ndërsa pronari kryesor, “Kazancı Holding”, operon në 22 vende në katër kontinente.
Termocentrale me gaz për zgjidhjen e ndotjes së ajrit
Mickoski theksoi se një zgjidhje e qëndrueshme për ndotjen e ajrit është ndërtimi i termocentraleve me gaz, duke theksuar se çdo alternativë tjetër do të ishte thjesht “fshehje e problemit nën tapet”.
Ai sqaroi se projekti përfshin ndërtimin e termocentraleve me gaz me një kapacitet të instaluar prej 500 MW, të cilat do të prodhojnë 4,1 TWh energji elektrike dhe 720 GWh energji termike në vit.
“Kazancı Holding” po ashtu është duke negociuar për ndërtimin e rrjetit sekondar të gazit dhe rrjetit të ngrohjes, që do të shpërndahet në amvisëri me kushte jashtëzakonisht të favorshme. Lidhja me rrjetin e gazit dhe ngrohjes do të jetë falas për familjet, ndërsa çmimi i gazit natyror do të jetë shumë më i ulët se çmimi aktual në tregjet ndërkombëtare.
I gjithë projekti – përfshirë ndërtimin e rrjetit të gazit, rrjetit të ngrohjes dhe termocentraleve – është parashikuar të ketë një investim prej mbi një miliard eurosh.
Rëndësia strategjike e investimit
Sipas Mickoskit, ky investim nuk është vetëm një hap i madh drejt zgjidhjes së problemit të ndotjes së ajrit, por është gjithashtu një forcim i kapaciteteve energjetike të vendit. Ai theksoi se investimet në këtë fushë janë thelbësore për të garantuar pavarësinë energjetike të Maqedonisë së Veriut, e cila është një element kyç për sovranitetin e vendit.
“Po flasim për projekte me rëndësi themelore për mjedisin, ekonominë, pavarësinë energjetike dhe pozicionimin strategjik të Maqedonisë,” tha Mickoski, duke shtuar se bisedimet po vazhdojnë dhe së shpejti pritet një marrëveshje për hapa konkretë në realizimin e projektit.
Funksionimi në tregun e lirë dhe çmimi i energjisë
Kryeministri nënvizoi se kompania do të operojë në tregun e lirë, pa asnjë subvencion nga shteti, përveç atyre të garantuara me ligj për investitorët.
“Çmimi i energjisë elektrike do të përcaktohet në tregun e lirë, varësisht nga konsumatori. Ndërsa çmimi i energjisë termike rregullohet nga Komisioni Rregullator, kështu që nuk ka hapësirë për ndryshime apo ndërhyrje,” tha Mickoski.
Ai shtoi se edhe me gazin e ardhur nga tubacioni ekzistues nga fqinjët lindorë, ka hapësirë të mjaftueshme për të furnizuar plotësisht këtë investim me gaz.
Ndërtimi i interkonektorëve të rinj
Lidhur me zhvillimet e tjera energjetike, Mickoski njoftoi se në mars pritet të nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e interkonektorit me Greqinë, pasi është përfunduar dokumentacioni i tenderit dhe janë miratuar financimet nga BEI dhe BERZH. Ky interkonektor do të ketë një kapacitet prej tre miliardë metra kub gaz në vit.
Po ashtu, interkonektori verior, i cili është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së, do të financohet nga fondet e BE-së.
“Ne kemi në dispozicion 750 milionë euro, nga të cilat 350-400 milionë do të përdoren për projekte infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër për mbështetjen e buxhetit,” sqaroi Mickoski.
Deklarata e përfaqësuesit të Kazancı Holding
Përfaqësuesi i Kazancı Holding, Cemil Kazancı (Xhemil Kazanxhë), tha se në takimin me qeverinë u diskutua për një zgjidhje të shpejtë për furnizimin me energji elektrike, energji termike dhe gaz natyror, duke sjellë stabilitet në sektorin energjetik të vendit.
“Investimi i përgjithshëm që kemi planifikuar të realizojmë gjatë viteve të ardhshme është rreth një miliard euro dhe do të ndihmojë Maqedoninë të ketë një furnizim më të qëndrueshëm dhe më të sigurt me energji elektrike dhe ngrohje,” deklaroi Kazancı.