Mbyllen 28 objekte gastronomike! Shqiptohen 360 dënime në vlerë prej 56 mijë eurove, parregullsi te 17 objekte

Janë mbyllur 28 objekte gastronomike, janë shqiptuar 360 dënime prej rreth 56 mijë eurove, janë zbuluar parregullsi në 17 nga 23 subjekte me licencë aktive. Zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva njoftoi për raportin e fundit nga Inspektorati Shtetëror i Tregut për kontrollet dhe mbikëqyrjen e objekteve hotelierike në mbarë vendin, në periudhën prej 17 mars deri më 10 prill të këtij viti.
“Janë lëshuar gjithsej 360 urdhërpagesa për kundërvajtje në vlerë prej 3.436.000 denarë. Janë nxjerrë gjithsej 28 vendime për ndalim të përkohshëm për ushtrimin e veprimtarisë për ata që kanë kryer veprimtari pa licencë apo pa plotësuar kushtet minimale teknike dhe 12 vendime për eliminimin e parregullsive për kundërvajtje të përcaktuara në përputhje me Ligjin për veprimtari hoteliere. Nga gjithsej 23 persona juridikë me licencë aktive, në 17 janë konstatuar parregullsi”, tha Miteva.