Maqedonia e Veriut u bë me qendrën e parë Kombëtare për Inteligjencë Artificiale “Vezillka”

Ministria e Transformimit Digjital dhe Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI) shënuan sot zyrtarisht fillimin e projektit “Vezillka” apo Qendra e parë Kombëtare për Inteligjencë Artificiale në Maqedoninë e Veriut, e cila do të përfaqësojë infrastrukturë kombëtare për zhvillimin e dijes, inovacionit dhe zbatimit të inteligjencës artificiale, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, konsideron se “Vezillka” është investim sistematik në të ardhmen e shtetit.
“Ky është një projekt që bashkon shkencën, teknologjinë, institucionet, biznesin dhe talentet e reja në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Një vizion në të cilin Maqedonia nuk është vetëm përdoruese e teknologjive të reja, por edhe krijuese aktive e tyre”, deklaroi Andonovski.
Ai shtoi se përmes “Vezillkës”, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e iniciativës më ambicioze evropiane në fushën e inteligjencës artificiale dhe fiton qasje të drejtpërdrejtë në superkompjuterët evropianë, hapësira të avancuara të të dhënave dhe mjete moderne për zhvillimin dhe testimin e modeleve të IA-së.
Përveç komponentit shkencor dhe teknologjik, projekti do të mundësojë zhvillimin e zgjidhjeve në shëndetësi, energjetikë, bujqësi dhe administratë publike, si dhe krijimin e një qendre për trajnime, transferim të njohurive dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.
Projekti “Vezillka”, vlera e të cilit është rreth 6 milionë euro, do të lidhet me fabrikën evropiane të inteligjencës artificiale “Pharos” në Greqi dhe do të bëhet pjesë e ekosistemit më të gjerë rajonal dhe evropian të inteligjencës artificiale, duke hapur mundësi të reja për studiuesit, kompanitë, startup-et dhe institucionet maqedonase.
Projekti realizohet si partneritet strategjik ndërmjet Qeverisë, Ministrisë së Transformimit Digjital, komunitetit akademik dhe Bashkimit Evropian. Bartës i projektit është FINKI, ndërsa ai është përzgjedhur për financim përmes programit Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, si pjesë e rrjetit evropian të AI Factory Antennas.

