Maqedoni e Veriut, rriten rastet e sëmundjes së lisë te delet dhe dhitë, por pa “rrezik për njerëzit”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Maqedonisë së Veriut (AUV) ka bërë të ditur se në vend janë konfirmuar 10 vatra të reja të sëmundjes së lisë te delet dhe dhitë që nga fillimi i muajit korrik të këtij viti, transmeton Anadolu.

Me rastet e reja, njoftoi AUV, numri i përgjithshëm i vatrave të konfirmuara në vend që nga rasti i parë në fund të janarit të vitit 2026 në fshatin Llopat të Komunës së Kumanovës ka arritur në 17, me mbi 2.700 kafshë të prekura.

Sëmundja është konfirmuar në 15 ferma të deleve dhe në dy ferma ku mbahen dele dhe dhi, ndërkohë autoritetet theksuan se sëmundja e lisë te delet dhe dhitë nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve.

AUV njoftoi se pas marrjes së miratimit për lokacionet e varrimit të kafshëve, do të vazhdojë me procesin e depopullimit në vatrat e reja të konfirmuara. Deri tani, agjencia ka kryer depopullimin e më shumë se 1.400 kafshëve në fermat e prekura.

Në kuadër të masave për përballimin e situatës epidemiologjike, AUV zhvilloi një takim pune me përfaqësues të shoqatave të blegtorëve të deleve dhe të Lidhjes së Blegtorëve të Deleve të Maqedonisë, ku u diskutua për gjendjen aktuale epidemiologjike të sëmundjes së lisë te delet dhe dhitë, problemet me të cilat përballen blegtorët si dhe masat që po ndërmerren nga autoritetet veterinare për kontrollin e përhapjes së sëmundjes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button