Vice Zaev, Kamçev, Jahoski, Azmanov dhe Remenski mes kontakteve të gjyqtarit Gjoko Ristov

Lista e kontakteve e gjyqtarit të akuzuar të Apelit, Gjoko Ristov, ishte në fokus të seancës së sotme gjyqësore. Prokurorja Iskra Haxhi-Vasileva lexoi disa emra të njohur nga sektori politik dhe ai i biznesit, të cilët ishin të regjistruar në kontaktet e tij.

Mes emrave të përmendur ishin Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13, Ana Kamçev, bashkëshortja e biznesmenit Orce Kamçev, deputeti i BDI-së Ismail Jahoski, i cili në telefonin e Ristovit ishte i regjistruar si “babe Ismail”, si dhe djali i tij, Asmir Jahoski, pronar i kompanisë “Pucko Petrol”. Në listë ishte edhe biznesmeni Zoran Azmanov.

Sipas Prokurorisë, në listën e kontakteve ndodheshin edhe Fehmi Stafa, i cili në opinion lidhet me rastin e të dyshuarit Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, si dhe Ismet Guri, ish-drejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe funksionar i BDI-së, i cili ishte përfshirë në rastin “Titanik 3”.

Mes kontakteve ishte edhe ish-deputetja Frosina Remenski, ndërsa në telefon ishte ruajtur edhe një numër që, sipas Prokurorisë, i përkiste Vice Zaevit, vëllait të ish-kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Edhe pse Prokuroria nuk prezantoi në gjykim ndonjë komunikim konkret mes Ristovit dhe personave të përmendur, prokurorja vlerësoi se vetë ekzistenca e këtyre kontakteve mund të shqyrtohet nga aspekti i standardeve etike dhe ligjore.

Haxhi-Vasileva theksoi gjithashtu kontekstin e rastit, i cili lidhet me praktika të dyshuara korruptive, për çka kontaktet e të akuzuarit me persona nga sektori politik dhe ai i biznesit iu paraqitën gjykatës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button