U shfaq një video rrëqethëse: Një person i panjohur e tërhoqi zvarrë banorin nga Strumica, para se ai të gjendej i vdekur në oborrin e spitalit të Manastirit

Rasti në të cilin një 39-vjeçar nga Strumica u gjet i vdekur në oborrin e spitalit në Manastir ka ngritur një sërë pikëpyetjesh. Disa orë më herët, një kamerë sigurie kishte filmuar një person të panjohur duke e tërhequr zvarrë strumicanin mbi kalldrëmin e Shirok Sokakut. Prokuroria ka konfirmuar se personi në video është pikërisht viktima, raportoi televizioni Telma.
Natën kur u gjet trupi i të ndjerit, Prokuroria kishte marrë vetëm një njoftim verbal për një përleshje pranë vendit ku ishte filmuar videoja, por jo edhe njoftim me shkrim nga policia për ngjarjen.
Sipas të dhënave fillestare të organeve hetimore, pas përleshjes, strumicani ishte dërguar për kontroll në Qendrën Urgjente të spitalit të Manastirit. Mjekët e kishin udhëzuar për ekzaminime shtesë, por nuk dihet nëse ai kishte arritur t’i kryente ato dhe çfarë kishte ndodhur gjatë orëve në vijim.
Trupi i 39-vjeçarit u gjet vetëm pas 12 orësh, brenda kompleksit të Spitalit Klinik.
Në njoftimin e shkurtër zyrtar, MPB-ja dy ditë më parë deklaroi se rasti ishte raportuar më 31 gusht, rreth orës 12:15. Vdekjen e J.I.-së e kishte konstatuar një mjek i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa policia kishte kryer ekspertizën në vendngjarje. Prokurori kishte urdhëruar kryerjen e autopsisë.
Duke iu referuar informacioneve jozyrtare, Telma raportoi se shkak i mundshëm i vdekjes mund të ketë qenë arresti kardiak. Rezultatet e autopsisë ende nuk janë publikuar.
Prokuroria ka njoftuar se po heton të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.
Televizioni thotë se u ka dërguar pyetje SPB-së së Manastirit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, por nuk ka marrë përgjigje se kush është personi që e tërhoqi zvarrë strumicanin në Shirok Sokak, kush e bëri regjistrimin dhe nëse mund të ekzistojnë edhe incizime të tjera nga kamerat e objekteve përreth.


