Londër, kërkohet hetim policor ndaj agjencisë izraelite të lidhur me vendbanimet

Policisë Metropolitane të Londrës i është kërkuar të hetojë pjesëmarrjen e një agjencie izraelite, e përfshirë në ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme, në një aktivitet ndërkombëtar të turizmit në Londër.
“Middle East Eye” zbuloi javën e kaluar se në aktivitetin “World Travel Market” (WTM), që po mbahet këtë javë, do të kishte një stendë të drejtuar nga zyra turistike e qeverisë izraelite. Aktiviteti, i cili të martën u përball me një protestë pro-palestineze, do të vazhdojë deri të enjten.
Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi për Palestinezët (ICJP), një organizatë ligjore me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i dërgoi të martën një letër njësisë së Policisë Metropolitane për krimet e luftës, duke kërkuar “hetim urgjent dhe shqyrtimin e masave parandaluese lidhur me pjesëmarrjen e raportuar të Autoritetit për Zhvillimin e Jerusalemit (JDA), përmes platformës së tij turistike iTravelJerusalem, në aktivitetin World Travel Market (WTM) në Londër”.
Aktivistët e Fushatës për Solidaritet me Palestinën (PSC) protestuan të martën pranë stendës së Izraelit, duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin: “Çdo vendbanim është krim lufte”.



