Bekim Sali: Reformat marrin vlerësim nga KE-ja, tani synohen më shumë përfitime për qytetarët

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, ka mirëpritur vlerësimin e Komisionit Evropian për përparimin në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë me rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Sali vlerëson se dialogu i paralajmëruar për integrimin gradual duhet të krijojë mundësi të reja dhe përfitime për qytetarët, pa pritur anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Synimi ynë mbetet: reforma të zbatuara dhe përfitime të prekshme përpara anëtarësimit të plotë”, ka shkruar Sali.
Ai thekson se vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian njëkohësisht përbën përgjegjësi për të vazhduar zbatimin e reformave.



