Limani: Nuk ndjej përgjegjësi morale, kam pezulluar drejtoreshën e Ujësjellësit

Kreu i Gostivarit Valbon Limani ka pezulluar nga detyra drejtoreshën e NP “Komunalec”, Artana Asani. Sipas tij, ky vendim është marrë që ajo dhe askush tjetër të mos mund të ndikon në hetimin transparent të institucioneve. Limani tha se nuk ndjen përgjegjësi morale për zhvillimet e fundit me ujin për pije në Gostivar, ndërsa deklaroi gjithashtu se në disa fshatra dhe vendbanime ka qytetarë që shfrytëzojnë ujë për pijë nga burime tjera dhe që nuk kanë të bëjnë me sistemin kryesor të ujësjellësit.
“Aktualisht e kemi biseduar dhe e kemi pezulluar deri në daljen e rezultateve dhe deri në përfundimin e hetimeve. Nga Prokuroria ende nuk ka asnjë informatë. Nga disa informata që kam sot mund të ketë rezultate nga të gjitha mostrat që janë marrë atë ditë. Sa i përket asaj pse e gjithë kjo ndodhë sepse siç tha edhe kryeministri, disa qytetarë shfrytëzojnë linja të ujësjellësit që nuk kanë të bëjnë me linjën kryesore të qytetit. Edhe aty kemi raste të shpeshtuara të infektimit me këtë virozë. Por t’i presim të gjitha rezultate dhe të mos parashikojmë gjëra para kohe. Unë nuk ndjej përgjegjësi morale pasi ndërmarrja publike është person juridik që mban llogari për këtë. Qytetarët e din se po të ishte situata ndryshe, dorëheqja e parë do të vinte nga unë”, deklaroi Valbon Limani, Kryetar i Komunës së Gostivarit./Alsat.mk.



