Lija e dhenve po përhapet në lindje të Maqedonisë së Veriut, vatra të reja në katër komuna

Lija e dhenve po përhapet në rajonin lindor të Maqedonisë së Veriut. Janë konfirmuar raste të reja të sëmundjes te delet dhe dhitë në një fermë në fshatin Sasa, në Komunën e Makedonska Kamenicës.
Vetëm brenda 15 ditëve të fundit, sëmundja është përhapur në ferma në katër komuna të rajonit lindor: Sveti Nikollë, Çeshinovë-Obleshevë, Dellçevë dhe Makedonska Kamenicë.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëjnë të ditur se deri më tani janë asgjësuar mbi 1.400 kafshë, ndërsa procesi i asgjësimit do të vazhdojë edhe në vatrat e reja të infeksionit, pasi të sigurohen lokacione të përshtatshme për largimin e tyre në mënyrë të sigurt.
Në fermat e prekura po zbatohen masa të rrepta, duke përfshirë asgjësimin e të gjithë tufave, dezinfektimin dhe hetimet epidemiologjike.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka zhvilluar gjithashtu një takim urgjent me shoqatat e mbarështuesve të deleve dhe me unionin e tyre, ku është theksuar se sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit, ndërsa janë prezantuar edhe masat për parandalimin dhe kontrollin e saj.
Blegtorët janë njoftuar se mbetet në fuqi ndalimi i lëvizjes dhe transportit të deleve dhe dhive brenda zonave mbrojtëse.
Produktet nga zonat e prekura janë kufizuar për tregtim, ndërsa qumështi mund të përdoret vetëm pas trajtimit termik.
Rasti i parë i lisë së deleve në vend u regjistrua në fillim të këtij viti në rajonin e Kumanovës, ndërsa më pas sëmundja u përhap drejt tufave në rajonin e Bregallnicës, duke përfshirë rreth 2.700 dele dhe dhi.



