Lajm i mirë për banorët e Studeniçanit, Draçevës, Zelenikovës dhe Batincës: Nga sot lëshohet për qarkullim ura mbi lumin e Markut

Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRrSH) njoftoi qytetarët e Komunës së Kisella Vodës dhe Komunës së Studeniçanit, veçanërisht banorët që gravitojnë drejt vendbanimeve Batincë, Draçevë, Studeniçan, Zelenikovë etj., se ka përfunduar para afatit të parashikuar sanimin e urës mbi lumin e Markut dhe se nga sot ura do të jetë plotësisht në funksion.
Me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe funksionalitetit të konstruksionit të urës mbi lumin e Markut në rrugën rajonale R1106, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore kishte nisur punimet për sanimin e saj.
“Punimet ndërtimore u zhvilluan me ritëm të përshpejtuar, të përshtatur me periudhën e verës, kur trafiku zhvillohet me intensitet më të ulët, me qëllim minimizimin e bllokimeve dhe ndikimit ndaj pjesëmarrësve në trafik”, njoftuan nga NPRrSH.
Sipas ndërmarrjes, punimet përfshinë sanimin e pjesës së sipërme të urës, duke përfshirë heqjen e fugave ekzistuese të dilatimit, kanaleve të kullimit, asfaltit dhe trotuareve.
Gjithashtu, është vendosur një pllakë e re betoni dhe hidroizolim i konstruksionit të urës, është bërë asfaltimi, si dhe janë ndërtuar trotuare të reja me bordura. Punimet përfshinë edhe sanimin e traut mbrojtës të urës.
Me përfundimin e punimeve, ura mbi lumin Markova është rikthyer në funksion të plotë, duke lehtësuar qarkullimin e banorëve të Draçevës, Zelenikovës, Batincës dhe zonave përreth.



